Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se pas përfundimit të procesit të votimit, në të 38 Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) do të fillojë procesi i verifikimit të rezultateve të subjekteve politike dhe numërimit të votave për kandidatët për deputetë.
Sipas KQZ-së, fillimisht do të bëhet verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime, para se të nisë numërimi i votave të kandidatëve.
Procesi është planifikuar të nisë paraditen e së hënës në 15 komuna, ndërsa në pasditen e së njëjtës ditë, duke filluar nga ora 16:00, do të vazhdojë edhe në 23 komuna të tjera të vendit.
Po ashtu, KQZ ka bërë të ditur se për fillimin e këtij procesi dhe zhvillimet pas zgjedhjeve do të mbahet një konferencë për media në orën 16:30 në QKN “1 Tetori” në Prishtinë.
