Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) sot ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025 për Kuvendin e Kosovës, përveç për Listën serbe.
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi ka treguar se nga sa ulëse kanë fituar partitë politike në Kuvendin e Kosovës.
“LVV me 57 ulëse të fituara në Kuvendin e Kosovës, PDK 22 ulëse, LDK 15 ulëse, AAK 6 ulëse, Lista serbe 9 ulëse, KDTP ka dy ulëse…”, ka thënë Radoniqi.
E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Faton Mehmeti.
Ai thotë se rinumërimi i votave, edhe pse është një procedurë e ligjshme, shndërrohet në problem serioz kur sjell ndryshime të mëdha në rezultate.
Sipas tij, në këto raste, sipas tij, qytetarët me të drejtë vënë në pikëpyetje jo vetëm gabimet teknike, por edhe cilësinë e menaxhimit të gjithë procesit zgjedhor.

Faton Mehmeti
“Ndryshimet mes rezultateve paraprake dhe atyre përfundimtare pas rinumërimit janë një test i drejtpërdrejtë për seriozitetin e procesit zgjedhor në Kosovë. Në parim, rinumërimi është mekanizëm ligjor dhe i domosdoshëm për të korrigjuar gabimet teknike apo njerëzore, por problemi lind kur këto ndryshime nuk janë të vogla dhe as të izoluara. Kur pas rinumërimit lëvizin vota, mandate apo renditje kandidatësh, qytetarëve u lind e drejta të pyesin: a kemi pasur vetëm gabime procedurale, apo edhe menaxhim të dobët të procesit”, u shpreh ai.
Tutje, analisti thekson që pa transparencë nga KQZ për dallimet në rezultate, lindin dyshime që dëmtojnë besimin e qytetarëve dhe vetë demokracinë.
“Besueshmëria e zgjedhjeve nuk matet vetëm me shpalljen e rezultateve, por me transparencën se si është arritur deri te ato. Nëse KQZ nuk e shpjegon qartë pse ka pasur dallime mes rezultateve paraprake dhe atyre përfundimtare, atëherë krijohet hapësirë për dyshim publik, për teori manipulimi dhe për rënie të besimit qytetar në votë. Demokracia dëmtohet jo vetëm nga manipulimi, por edhe nga perceptimi se manipulimi është i mundur”, përfundoi analisti Mehmeti për “Bota sot”.
Kujtojmë, që rinumërimi është kryer pas dyshimeve për manipulime me votat e kandidatëve për deputetë.
Përgjatë procesit, votat për disa kandidatë ndryshuan – me raste deri në 6 mijë për një individ – ndërsa ato për partitë nuk u cenuan.
