Lajme

KQZ shqyrton përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të mbajë sot mbledhjen e radhës, ku në fokus do të jenë përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të caktuara për 7 qershor.

Mbledhja e KQZ-së do të zhvillohet në zyrat e institucionit duke filluar nga ora 13:30, nën udhëheqjen e kryesuesit të mbledhjes, Kreshnik Radoniqi. 

Në rendin e ditës janë paraparë disa pika që lidhen drejtpërdrejt me procesin zgjedhor, përfshirë shqyrtimin dhe miratimin e planit operacional të sigurisë, programin e trajnimeve për stafin zgjedhor, si dhe miratimin e kutive postare jashtë Kosovës për votimin përmes postës. 

Po ashtu, anëtarët e KQZ-së do të shqyrtojnë dhe miratojnë dizajnin dhe përmbajtjen e fletëvotimit dhe broshurës informuese për zgjedhjet parlamentare. 

Në kuadër të mbledhjes do të trajtohen edhe çështje financiare, përfshirë raportin financiar tremujor për periudhën janar-mars 2026, raportin e derivateve, si dhe draft-vendimin për pagesat dhe mëditjet e stafit të angazhuar në qendrat e votimit, qendrat komunale të numërimit dhe përfaqësitë diplomatike.

Kjo mbledhje konsiderohet me rëndësi të veçantë në funksion të finalizimit të përgatitjeve teknike dhe organizative për procesin zgjedhor të muajit qershor.

Të Ngjashme