Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Alban Krasniqi, ka deklaruar në emisionin “Info Nata” në Tëvë1 se gjatë procesit të rinumërimit të votave janë vërejtur parregullsi serioze në disa raste, përfshirë edhe tentativa për manipulim të votave për kandidatët për deputetë.
Sipas Krasniqit, nisma për rinumërim ka ardhur pas analizimit të rezultateve dhe trendeve që janë shfaqur gjatë periudhës kur situata ka qenë e qetë dhe pa indikacione të mëhershme për probleme.
“Me iniciativën që kemi pasur, duke parë rezultatet dhe trendet në kohën kur ka qenë qetësi, realisht nuk ka pasur asnjë indicie nga askush se ka pasur diçka. Megjithatë, ne kemi vërejtur disa trende që nuk kanë qenë të rregullta. Fillimisht kemi nisur me një përqindje shumë të vogël dhe kemi shqyrtuar videoregjistrimet në disa qendra komunale të numërimit. Aty kemi vërejtur shpërputhje dhe mospërputhje mes rezultateve që kemi parë dhe videove që kanë paraqitur fletëvotimet gjatë procesit të numërimit,” ka thënë Krasniqi.
Ai ka theksuar se një rast i tillë është evidentuar në Prizren, ku sipas tij ka pasur përpjekje për të tjetërsuar vullnetin e qytetarëve.
“Në rastin e Prizrenit shihet se ka pasur një përpjekje, brenda numëruesve të qendrës komunale të numërimit, për ta tjetërsuar vullnetin e qytetarëve të shprehur përmes votave për kandidatët. Kjo vërehet sipas trendeve që janë tepër të larta dhe jo normale,” ka deklaruar ai.
Krasniqi ka bërë të ditur se KQZ ka ndërmarrë të gjitha përgatitjet e nevojshme që këto raste t’i dërgojë në Prokurori.
“Ne po ashtu kemi bërë të gjitha përgatitjet që këto raste t’i dërgojmë në Prokurori, sepse kjo është një procedurë standarde që ne e përdorim. Nga ky moment, çështja i përket Prokurorisë dhe organeve të drejtësisë për të ndërmarrë masat e nevojshme,” ka shtuar Krasniqi.


