Lajme

Krejt çka dihet për bllokimin e kufijve nga serbët

Kryetari i të ashtuquajturit Asociacioni i Qytetarëve të Qarkut të Mitrovicës, Rasha Rojeviq, ka paralajmëruar se nga sot serbët do të organizojnë bllokada në të gjitha pikat kufitare me Kosovën.

Kjo pasi, ata duan që Policia e Kosovës të tërhiqet nga veriu.

Siç ka paralajmëruar Rojeviq, bllokada do të nisë nga ora 18:00, dhe nga 400 njerëz në çdo pikë kufitare do të jenë pjesëmarrës.

“Bllokada do të fillojë nesër në orën 18:00 dhe do të zgjasë derisa të tërhiqen forcat policore të Kosovës nga veriu i Kosovës dhe institucionet e uzurpuara t’u kthehen serbëve. Gjithashtu kërkojmë nga KFOR-i që në përputhje me mandatin e Rezolutës 1244, ta marrë kontrollin e veriut të Kosovës”, tha ai.

Ndërkaq, KFOR-i ka bërë thirrje që të shmangen këto lloj veprimesh që nxisin tensione.

Në një përgjigje  thuhet se “është e rëndësishme të shmangen veprime që mund të krijojnë tensione të panevojshme.Ky është çelësi për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe për stabilitetin rajonal”.

Nga ministria e Punëve të Jashtme, dhe nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar është dhënë paralajmërim që shtetasit e Kosovës, e veçanërisht mërgimtarët të shmangin hyrje-daljet në pikat kufitare me Serbinë.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës u bën thirrje të gjithë shtetasve të Republikës së Kosovës, përfshirë pjesëtarët e mërgatës, që kanë planifikuar apo janë duke planifikuar kalimin tranzit përmes territorit të Serbisë, të shmangin të gjitha hyrjet dhe daljet në vendkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.

“Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar u bën thirrje të gjithë mërgimtarëve si dhe shtetasve kosovarë që të shmangin hyrjet dhe daljet në pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë”, ka lajmëruar QKMK-ja.

Mirëpo, situata në veri deri më tani duket se është e qetë.

Kështu tha për Klankosova.tv, zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.

“Situata është në rregull, nuk ka ndryshime”, tha Elshani