Lajme

Krisje në mur, dritarja e apartamentit përfundon në rrugë, dëmet e frikshme që shkaktoi shpërthimi i bombolës së gazit në Pogradec

Pamjet që shihni tregojnë dëmet e shkaktuara nga shpërthimi i fuqishëm nga një bombol gazi në Pogradec. Ngjarja ndodhi te axhensia, në katin e dytë të një pallati.

Si pasojë e shpërthimit, nga i cili u plagos një grua, janë shkaktuar dëme të mëdha materiale.

Siç shihet nga pamjet e siguruara për BalkanWeb nga gazetarja Lorena Kodra, si pasojë e shpërthimit, dritarja e banesës ka dalë nga vendi dhe ka përfunduar në rrugë. Ndërkohë, edhe muri i pallatit ka pësuar krisje nga shpërthimi. Fatmirësisht nga rënia e dritares nuk pati persona të lënduar, ndërsa zona në fjalë është shumë e populluar.

NJOFTIMI I POLICISE
Rreth orës 10:30, në lagjen nr.5 Pogradec, në banesën e shtetases E. P., 71 vjeçe, dyshohet se ka shpërthyer një bombol gazi.

Si pasojë e shpërthimit është dëmtuar 71-vjeçarja, e cila aktualisht po merr mjekim në spitalin e Pogradecit, jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.

(BalkanWeb)