Kristin Cabot, ish-drejtoreshë e Burimeve Njerëzore në kompaninë Astronomer, ka folur publikisht për herë të parë pas skandalit që u bë viral në rrjetet sociale, i shkaktuar nga një moment i kapur nga “Kiss Cam” gjatë një koncerti të Coldplay në muajin korrik. Ajo ndodhej në koncert së bashku me shefin e saj, Andy Byron, dhe pamjet e transmetuara në ekran ndezën spekulime të shumta online për një lidhje të mundshme mes tyre.
Në një rrëfim të sinqertë, Cabot pranoi se kishte vepruar gabim. “Mora një vendim të keq, piva disa pije, vallëzova dhe u solla në mënyrë të papërshtatshme me shefin tim. Kjo nuk është diçka e vogël. E mora përgjegjësinë dhe hoqa dorë nga karriera ime. Ky ishte çmimi që zgjodha të paguaj,” u shpreh ajo.
Videoja u shpërnda me shpejtësi në internet dhe solli pasoja të rënda profesionale. Cabot dha dorëheqjen nga posti i saj si drejtuese e HR në Astronomer, ndërsa ngjarja çoi edhe në largimin nga detyra të drejtorit ekzekutiv të asaj kohe, Andy Byron.
Përtej pasojave në karrierë, Cabot u përball me një valë të fortë abuzimesh online. Sipas raportimeve, ajo mori kërcënime për jetën dhe u etiketua nga përdoruesit e rrjeteve sociale si “shkatërruese familjesh” dhe “përfituese”. Ajo thekson se gjykimi publik ishte veçanërisht i ashpër dhe se ndjeu se gjithçka që kishte arritur ndër vite u fshi brenda pak ditësh.
Sa i përket jetës personale, Cabot sqaroi se në atë periudhë ajo dhe bashkëshorti i saj i dytë, Andrew , CEO i një distilerie rumi dhe pjesë e një familjeje të njohur në Boston, po kalonin një ndarje miqësore. “Edhe sikur të kisha pasur një lidhje, nuk është punë e askujt. Është trajtuar sikur të kisha një ‘letër të kuqe turpi’; njerëzit fshinë gjithçka që kam ndërtuar në jetën dhe karrierën time. Kjo nuk mund të jetë fjala e fundit,” tha ajo.
Cabot tregoi gjithashtu momentin e parë të panikut kur kuptoi se pamjet po transmetoheshin në ekranin gjigant të koncertit. “Reagimi im i parë ishte: ‘O Zot, Andrew është këtu’. Kisha frikë se do ta vija në siklet, sepse ai është një njeri i jashtëzakonshëm dhe nuk e meriton këtë. Pastaj mendova: ‘O Zot, Andy është shefi im’, kjo duket shumë keq. Boston nuk është një qytet i madh.”
Ndërkohë, statusi i marrëdhënies së Andy Byron mbetet i paqartë. Ai nuk ka folur publikisht për skandalin dhe, sipas raportimeve, në shtator u pa në publik me bashkëshorten e tij, të dy ende me unazat e martesës.
Sot, Cabot thotë se nuk kërkon falje nga interneti, por empati, sidomos për hir të fëmijëve të saj. “Dua që fëmijët e mi ta dinë se mund të bësh gabime, madje edhe të gabosh rëndë. Por për këto gabime nuk duhet të kërcënohesh me vdekje,” përfundoi ajo.
/tiranapost
