Lajme

Kritiku i Listës Serbe dhe i Vuçiqit rrihet e kërcënohet në Shtërpcë

Stefan Stamenkoviq, i cili kandidoi për kryetar të Shtërpcës dhe mban një faqe në Facebook ku publikon materiale kundër Listës Serbe, është rrahur para dy ditësh gjatë një manifestimi në Shtërpcë. Policia ka konfirmuar pranimin e rastit, ndërsa përkrahje për Stamenkoviqin kanë shprehur edhe politikanë të tjerë opozitarë serbë.

Ish-kandidati për kryetar të komunës së Shtërpcës, Stefan Stamenkoviq, u kërcënua dhe u rrah gjatë manifestimit të festës së Kreshmës të dielën.

Stamenkoviq ka thënë se një person e ka goditur për shkak të qëndrimeve të tij kundër Listës Serbe dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Më tha se mund të më vrasë dhe më dhunoi. I thashë se kushdo mund ta sulmojë dikë, por nuk është normale, sepse jemi njerëz dhe duhet të respektojmë njëri-tjetrin. Sapo e ktheva kokën për të parë mikun tim, ai më kapi dhe më hodhi për asfalti. Pastaj rashë dhe më goditi përsëri. Kam lënduar kokën, qafën dhe kam mavijosje në vithe”, ka thënë politikani serb.

Policia ka konfirmuar paraqitjen e këtij rasti.

Më 22.02.2026, në orën 21:08, në Shtërpcë, një mashkull kosovar-serb raportoi se ishte sulmuar fizikisht nga një person i panjohur. Viktima ishte nën ndikimin e alkoolit dhe i është ofruar tretman mjekësor. Rasti është regjistruar si ‘Lëndim i lehtë trupor’, ndërsa njësitet relevante policore janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për identifikimin e të dyshuarit, thuhet në njoftimin e Policisë, Drejtoria në Ferizaj.

Stamenkoviq ka deklaruar se pavarësisht konsumimit të alkoolit, nuk ka shkaktuar asnjë problem gjatë festës. Ai shtoi se sulmuesi është person i njohur për policinë dhe kërkon që drejtësia të vendoset pa ndërhyrje politike.

“Nuk e di nëse dikush në polici do t’i mbrojë ata, por dimë që në Ballkan gjithçka është politikë dhe çdo institucion është aq i korruptuar sa tenton të fusë çdo incident në sirtar, për përfitime ose qëllime të këqija. Sigurisht që ka shumë dëshmitarë që mund ta vërtetojnë se nuk i kam bërë askujt asnjë të keqe”, ka thënë Stamenkoviq, raporton Koha.

Në Prokurorinë Themelore në Ferizaj kanë thënë se Policia ende nuk ua ka dërguar lëndën.

Për rastin e tij kanë reaguar edhe disa politikanë opozitarë serbë.

Kryetari i subjektit politik SNP, Milija Bishevac, ka shprehur përkrahje, duke thënë se “për vite dhuna ka qenë mjet për trajtimin e disidentëve dhe mënyrë e disiplinimit të atyre që mendojnë dhe flasin ndryshe”.

Ngjashëm, asamblisti i SZS në Mitrovicën e Veriut, Marko Jakshiq, ka shkruar në Facebook se arena politike duhet të jetë vend për luftë qëndrimesh dhe argumentesh, jo për heshtje dhe dhunë fizike.

Të Ngjashme