Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha tha se Kosova mbetet përparësi e politikës së jashtme të Shqipërisë.
Këto komente ai i bëri pas një takimi që pati me ambasadorin e Kosovës në Shqipëri, Skënder Durmishi.
“E sigurova, siç ia kam konfirmuar më parë edhe Ministrit Konjufca, se Kosova mbetet një përparësi e padiskutueshme e politikës sonë të jashtme.
Rikonfirmuam angazhimin e palëkundur për thellimin e partneritetit të ngushtë e të veçantë si dhe zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat, përmes koordinimit të ngushtë institucional, rritjes së shkëmbimeve ekonomike dhe avancimit të projekteve të përbashkëta me rëndësi strategjike në fushat e sigurisë, energjisë, infrastrukturës dhe arsimit. Shqipëria nuk do të reshtë së mbështeturi forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe integrimin e saj euroatlantik”, shkruan Hoxha në një postim në X.
