Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar veprimtarin e çështjes kombëtare Mehmet Hajrizin në përvjetorin e demonstratave studentore të vitit 1981, duke theksuar kontributin e tij dhe të shumë brezave në rrugën drejt lirisë së Kosovës.
Sipas Kurtit, Hajrizi nuk është vetëm një veprimtar politik, por vjen nga një familje që është përballur me përndjekje nga regjimi serb që nga vitet ’20 të shekullit të kaluar.
Ai për 15 vjet punoi në arsim, duke edukuar gjenerata nxënësish, ndërsa një nga momentet më të rënda të jetës së tij ishte arrestimi në sallën e mësimit para nxënësve, që ishte arrestimi i tij i dytë pas atij të vitit 1979.
“Në fillim të viteve ’70 u formua organizata ilegale “Grupi Revolucionar i Kosovës”, një ndër organizatat më serioze dhe më jetëgjata të lëvizjes së asaj kohe. Fillimisht ajo u udhëhoq për një vit nga Kadri Osmani, ndërsa për tetë vjet të tjerë nga Mehmet Hajrizi. Më vonë ai, së bashku me shokët e tij, u bë pjesë e themelimit të shtypit të parë klandestin, ku shërbeu edhe si kryeredaktor. “Zëri i Kosovës”, “Pararoja”, “Liria”, “Këngët e lirisë” dhe shumë trakte të tjera politike që ngjallën vrull patriotik dhe përhapën frymën e rezistencës gjithandej vendit, me kërkesa për liri, drejtësi, Republikë dhe bashkim kombëtar”, ka shkruar kryeministri në Facebook.
Kurti theksoi se lufta çlirimtare e fundit në Kosovë ishte rezultat i përpjekjeve të shumë brezave që ndër vite u angazhuan për liri dhe avancimin e çështjes kombëtare.
