LifeStyle

Kryeministrja Takaichi thotë se fle vetëm 2–4 orë në natë dhe po kritikohet për këtë deklaratë

Kryeministrja japoneze Sanae Takaichi deklaroi të enjten se çdo natë fle vetëm dy deri në katër orë, ndërsa nga ana tjetër po kritikohet për nxitjen e kulturës së mbingarkesës në punë.

Zbulimi për gjumin e saj minimal erdhi pasi javën e kaluar ajo thërriti një mbledhje me stafin në orën 03:00 të mëngjesit, për t’u përgatitur për një seancë parlamentare.

“Tani fle rreth dy orë, katër orë maksimumi. Ndihem sikur po më dëmton lëkurën,” tha ajo para një komisioni legjislativ, ku u pyet për rëndësinë e reduktimit të orëve të gjata të punës në Japoni.

Prej vitesh Japonia përballet me vështirësi për të arritur një ekuilibër të shëndetshëm mes punës dhe jetës private, me shumë punonjës që përjetojnë presion të madh në zyrë.

Vendi madje ka edhe një fjalë të posaçme, karoshi, që nënkupton vdekjen nga mbingarkesa në punë.

Takaichi u pyet gjithashtu për diskutimet e qeverisë lidhur me mundësinë e rritjes së kufirit maksimal të orëve shtesë, me synim nxitjen e rritjes ekonomike.

Ajo e mbrojti këtë diskutim, duke thënë se nevojat e punonjësve dhe të punëdhënësve janë të ndryshme. Disa njerëz zgjedhin të punojnë dy punë për të përballuar jetesën, tha ajo, ndërsa bizneset shpesh vendosin kufizime të forta mbi orët shtesë.

Takaichi theksoi se çdo ndryshim do të garantonte mbrojtjen e shëndetit të punonjësve.

“Nëse mund të krijojmë një situatë ku njerëzit të balancojnë siç duan detyrimet për fëmijët apo kujdesin familjar dhe ndërkohë të punojnë, të kenë kohë për argëtim dhe pushim, kjo do të ishte ideale,” tha ajo.

Takaichi mori pushtetin muajin e kaluar si gruaja e parë kryeministre në historinë e Japonisë. Pas zgjedhjes si kryetare e Partisë Liberale Demokratike, ajo u zotua se “për veten time do ta heq termin ‘balancë punë-jetë’. Unë do të punoj, punoj, punoj, punoj e punoj.”

Që atëherë ajo ka pasur një axhendë të ngarkuar, duke marrë pjesë në takime rajonale dhe duke zhvilluar bisedime dypalëshe me presidentin amerikan Donald Trump, presidentin kinez Xi Jinping dhe presidentin e Koresë së Jugut Lee Jae Myung.

/tiranapost

Të Ngjashme