Lajme

Kryeprokurori i Prizrenit priti në takim pune përfaqësues të Ambasadës Britanike

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, priti sot në takim përfaqësues nga Ambasada Britanike, Alan Edwards, mentor për Ekipet e Përbashkëta Hetimore (JIT),Altina Besimi, zyrtare për zbatim të politikave në sundim të ligjit, dhe Blend Zyrapi, këshilltar teknik.

Gjatë takimit u diskutuan çështje që lidhen me kontrabandimin e migrantëve dhe pastrimin e parave, si dy prej formave më komplekse të kriminalitetit ndërkufitar, që kërkojnë qasje të specializuar dhe bashkëpunim të avancuar ndërinstitucional dhe ndërkombëtar.

Po ashtu, u trajtuan sfidat që lidhen me hetimin dhe ndjekjen e këtyre veprave penale, si dhe rëndësia e koordinimit dhe shkëmbimit të informacionit ndërmjet institucioneve përkatëse.

Kryeprokurori Kryeziu, theksoi përkushtimin e Prokurorisë Themelore në Prizren në luftën kundër krimit të organizuar dhe nevojën për forcimin e vazhdueshëm të kapaciteteve hetimore, me qëllim të arritjes së rezultateve konkrete në parandalimin dhe ndjekjen e këtyre formave të kriminalitetit.

Në këtë takim u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm me partnerët ndërkombëtarë, si dhe u ritheksua rëndësia e mbështetjes së vazhdueshme në ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe avancimin e mekanizmave të përbashkët të hetimit.

Në përmbyllje, palët vlerësuan rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm, i cili mbetet kyç për rritjen e efikasitetit në hetimin dhe ndjekjen penale të veprave të rënda kriminale, veçanërisht në fushën e kontrabandimit të migrantëve dhe pastrimit të parave.

Të Ngjashme