Përfaqësuesit e platformës qytetare “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, janë pritur sot në Komunën e Fushë Kosovës nga kryetari Valon Prebreza, i cili u shpreh i gatshëm për të mbështetur marshin qytetar “Drejtësi, jo politikë”, që do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë.
Gjatë takimit, përfaqësuesit prezantuan aktivitetet dhe qëllimet e platformës, ndërsa falënderuan Prebrezën për përkrahjen.
“Ky Marsh është një thirrje qytetare për respektimin e parimeve të drejtësisë, dinjitetit njerëzor dhe për ndarjen e qartë të drejtësisë nga politika”, tha Tasholli
“Mbështetja që po marrim nga komunat dhe nga kryetarët e tyre është dëshmi se kjo kauzë është mbi politikën ditore”, theksoi Hoxha
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Valon Prebreza tha se do t’iu bëjë thirrje qytetarëve për pjesëmarrje në Marshin e 17 shkurtit
“Këtij Marshi për çlirimtarët në Hagë duhet t’i përgjigjen me pjesëmarrje të gjithë qytetarët e Kosovës”, tha Prebreza.
Platforma “Liria ka Emër” do të vazhdojë takimet dhe aktivitetet në tërë komunat e Kosovës me qëllim të mobilizimit sa më të gjerë qytetar për Marshin e 17 shkurtit, nën moton “Drejtësi, jo politikë”.