Lajme

Kryetari i Supremes kritikon vendimin e Qeverisë për Komisionin e Jurisprudencës

Kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi, ka reaguar ashpër pas ndryshimit të komisionit për provimin e jurisprudencës.

Në një reagim për medie, Rexhepi ka konstatuar se Ministria e Drejtësisë dhe Qeveria, kanë synuar të ndërhyjnë në punën e komisionit.

Në reagimin e tij, ai i referohet vendimit 24/11 të datës 20 prill 2026, i cili është arsyetuar nga Qeveria me pretendime për mungesë transparence dhe ankesa ndaj komisionit ekzistues. Kryetari i Supremes, njëherësh kryetar i deritanishëm i Komisionit, thekson se çdo vendimmarrje duhet të mbështetet në fakte të verifikuara dhe në respektim të kompetencave ligjore.

Ai ka akuzuar Ministrinë e Drejtësisë për dështim në përmbushjen e obligimeve ligjore për organizimin e provimit, duke shtuar se është e papranueshme që përgjegjësia për këtë proces t’i atribuohet Komisionit.

Sipas tij, arsyet e dhëna nga ministrja për ndryshimin e përbërjes së Komisionit janë “absurde dhe jo të vërteta”, ndërsa vendimi në tërësi është “jo ligjor dhe kundërkushtetues”.

Tutje, ai ka theksuar se Komisioni nuk ka lejuar ndërhyrje në procesin e vlerësimit të kandidatëve, duke e konsideruar këtë si kompetencë ekskluzive të tij. Sipas tij, e vetmja vërejtje nga Ministria e Drejtësisë ka qenë shkalla e ulët e kalueshmërisë, ndërsa ka refuzuar çdo presion për uljen e kritereve.

“Ka qenë e papranueshme që Komisioni të shndërrohet në instrument të Ministrisë së Drejtësisë,” thuhet në reagim.

Ai shton se emërimi i një komisioni të ri para përfundimit të mandatit të atij ekzistues përbën ndërhyrje në institucionet e pavarura dhe është pjesë e një trendi të vazhdueshëm të ndërhyrjeve në sistemin e drejtësisë.

Në fund, kryetari i Gjykatës Supreme thekson përkushtimin e tij dhe të anëtarëve të Komisionit për sundimin e ligjit, pavarësinë institucionale dhe mbrojtjen e interesit publik.

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e saj të rregullt të mbajtur dje, ka miratuar propozim-vendimin e Ministrisë së Drejtësisë për emërimin e anëtarëve të Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës.

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka thënë se ky vendim vjen si rezultat i nevojës për të adresuar një sërë çështjesh të evidentuara gjatë mandatit të komisionit aktual, të cilat kanë ndikuar në besueshmërinë e procesit të provimit.

Të Ngjashme