Përfaqësuesit e platformës “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, janë pritur sot në takim nga kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi dhe kabineti i tij, të cilët u kanë ofruar përkrahje për Marshin “Drejtësi, jo politikë”, i cili do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, në mbrojtje të drejtësisë së paanshme dhe të vlerave të luftës çlirimtare.
Hoxha dhe Tasholli e kanë falënderuar kryetarin Idrizi dhe Komunën e Vushtrrisë për mbështetjen .
“Mbështetja që po marrim nga komunat dhe nga kryetarët e tyre është dëshmi se kjo kauzë është mbi politikën ditore”, citohet Hoxha në komunikatë.
“Ky marsh është një thirrje qytetare për respektimin e parimeve të drejtësisë, dinjitetit njerëzor dhe për ndarjen e qartë të drejtësisë nga politika”, shtoi Tasholli.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi tha se qëndron në krah të kësaj nisme qytetare, duke theksuar domosdoshmërinë e mbrojtjes së dinjitetit të luftës çlirimtare dhe respektimit të parimeve të drejtësisë.
“Drejtësia duhet të funksionojë në mënyrë të drejtë dhe të barabartë për secilin. Kjo është një kauzë që e meriton përkrahjen e secilit qytetar të Kosovës”, deklaroi Idrizi.
Platforma “Liria ka Emër” do të vazhdojë takimet dhe aktivitetet në tërë komunat e Kosovës, me synimin e mobilizimit sa më të gjerë qytetar për Marshin e 17 shkurtit, nën moton “Drejtësi, jo politikë”.
