Dhurata Çupi, deputete dhe anëtare e Grupit Parlamentar të PD, kërkon nisjen e hetimit administrativ për kryetaren socialiste të Bashkisë së Bulqizës, Festime Mjeshtri. Kjo, pasi Mjeshtri ka punësuar të vëllanë administrator të Njësisë Ostren, shtetasin Luan Mjeshtri.
Çupi kërkon nga Inspektoriati i Lartë për Deklarimin e Pasurisë dhe Konfliktit të Interesave të konstatojë situatën e konfliktit të interesit ndërmjet kryebashkiakes dhe administratorit të Ostrenit, motër e vëlla, dhe të ndërmarrë masa ndëshkuese në përputhje me ligjin.
“Nisur nga situata e paligjshmërisë dhe konfliktit të interesit në Bashkinë Bulqizë, i kam kërkuar sot Inspektoriatit të Lartë për Deklarimin e Pasurisë dhe Konfliktit të Interesave që të fillojë urgjentisht një hetim administrativ, të konstatojë situatën e konfliktit të interesit ndërmjet kryebashkiakes në detyrë dhe administratorit të Njësisë Administrative të Ostrenit, motër e vëlla, si dhe të ndërmarrë masat e tjera ndëshkuese në përputhje me ligjin.
Funksionarët e lartë publikë dhe veçanërisht të zgjedhurit duhet të ushtrojnë detyrën me integritet, transparencë dhe përgjegjshmëri në shërbim të interesit publik dhe jo interesave personale a familjare”, shkruan deputetja demokrate.
Shtetasi Luan Mjeshtri u arrestua rreth 20 ditë më parë, pasi në bashkëpunim me dy shtetas të tjerë kanë shpërdoruar detyrën duke falsifikuar dokumente të Gjendjes Civile, për të pajisur qytetarë të ndryshëm, me vërtetime se banonin në njësinë administrative Ostren, me qëllim regjistrimin në shoqatën “Golloborda” dhe përfitimin e pasaportave bullgare.
Luan Mjeshtri, me detyrë administrator i Njësisë Ostren, Arlin Limani, me detyrë specialist i shërbimit social dhe Fitim Balla, me detyrë sekretar i Këshillit Bashkiak, në Bashkinë Bulqizë akuzohen, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo