Lajme

Kthjellime dhe temperatura të larta, parashikimi i motit për të shtunën

Qarkullimi i masave ajrore me origjinë afrikane do të sjellë në territorin shqiptar mbizotërim të motit të kthjellët dhe temperaturave të larta, por pas mesditës dhe në vijim do të ketë kalim të vranësirave në pjesën më të madhe të territorit, ku më të theksuara do të jenë në zonat veriore dhe verilindore. Megjithatë nuk priten reshje. Gjatë natës pritet shtim i vranësirave dhe lagështirës në ajër në të gjithë Shqipërinë.

Temperaturat e ajrit do të pësojnë rritje si në mëngjes edhe në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 11°C temperatura më e ulët e shënuar në qytetin e Peshkopi deri në 32°C vlera më e lartë e cila do të shënohet përgjatë Ultësirës Perëndimore.

Era do të fryjë mesatare deri e e fortë me shpejtësi mbi 50 km/h nga drejtimi kryesisht Veriperëndimor duke krijuar në brigjet detare dallgëzim 3 ballë.

Kosova

Orët e para të mëngjesit në Kosovë do të jenë nën dominimin e kthjellimeve dhe vranësirave të pakta, por pas mesditës dhe në vijim pritet që gradualisht vranësirat të bëhen të dukshmë, ku më të theksuara do të jenë në zonat veriore dhe pjesërisht zonat Juglindore. Parashikohet që mbrëmja dhe nata të shtojnë më tej vranësirat në të gjithë territorin e Kosovës. Temperaturat e ajrit do të pësojnë rritje në të dy vlerat ekstremale ditore duke u luhatur nga 9°C vlera më e ulët në Podujevë deri në 26°C vlera më e lartë në Prizren e Gjakovë. Era do të fryjë mesatare, por herë pas here e fortë duke arritur shpejtësinë maksimale mbi 55 km/h nga drejtimi kryesisht Veriperëndimor.

Maqedonia e Veriut

Territori i Republikës së MV gjatë paradites do të mbizotërohet nga intervale të gjata kthjellimesh dhe temperatura të larta. Ndërkohë pas mesditës dhe në vijim do të shfaqen kalime vranësirash si fillim në zonat perëndimore dhe gradualisht gjatë mbrëmjes do të përfshijnë të gjithë territorin e MV, por nuk priten reshje. Parashikohet që të njëjtat kushte meteorologjike të na shoqërojnë deri vonë natën kur pritet zhvillim i vranësirave duke gjeneruar rrrebeshe shiu në MV. Temperaturat e ajrit do të rriten si në vlerat minimale dhe në ato maksimale duke u luhatur nga 9°C vlera minimale deri në 30°C vlera maksimale në rang territori. Era do të fryjë mesatare gjatë paradites, por deri e fortë gjatë pasdites duke arritur shpejtësinë maksimale deri në 50 km/h nga drejtimi permanent Veriperëndimor.

Europa

Gadishulli Skandinav si edhe vendet e Europës Lindore do të vijojnë nën ndikimin e motit të paqëndrueshëm me vranësira dhe reshje të dendura shiu, ku herë pas here shirat do të jenë në formë shtrëngate, shoqëruar me stuhi të forta ere. Po ashtu Alpet Europiane si edhe zonat përreth tyre do të mbeten nën ndikimin e vranësirave të shumta të cilat herë pas here do të sjellin rrebeshe shiu ndërsa e gjithë pjesa tjetër e kontinentit do të jetë nën dominimin e masave ajrore të qëndrueshme duke sjellë mot të kthjellët dhe temperatura relativisht të larta.