Granit Xhaka është rikthyer në rrjetet sociale pas vëmendjes së madhe mediatike që shkaktoi pranimi i tij se kishte siguruar një certifikatë vaksinimi kundër COVID-19, të cilën autoritetet zvicerane po e hetojnë si të mundshme të falsifikuar.
Kapiteni i Zvicrës ka zgjedhur të largohet për disa momente nga zhurma e krijuar rreth çështjes dhe të kalojë kohë me familjen.
Në TikTok, Xhaka ka publikuar dy fotografi ku shfaqet pranë detit, ndërsa postimin e ka shoqëruar me një mesazh për të gjithë ata që e kanë mbështetur gjatë ditëve të fundit.
“Po marr një moment për të marrë frymë. Faleminderit për çdo mesazh, çdo fjalë dhe çdo mbështetje”, ka shkruar futbollisti.
Postimi vjen vetëm pak ditë pasi Xhaka reagoi publikisht për çështjen e certifikatës. Ai pranoi se në atë periudhë kishte siguruar një vërtetim vaksinimi, duke e cilësuar sot vendimin e tij si një gabim dhe duke deklaruar se do të bashkëpunojë plotësisht me autoritetet.
Ndërkohë, Xhaka nuk i është bashkuar grumbullimit të Kombëtares së Zvicrës për ndeshjet e Ligës së Kombeve. Federata Zvicerane e Futbollit bëri të ditur se vendimi është marrë në dakordësi me lojtarin, ndërsa situata e tij do të rivlerësohet pas përfundimit të kësaj periudhe ndërkombëtare.
Kapiteni pritet gjithashtu të merret në pyetje nga Prokuroria e Kantonit të Lucernës në fillim të tetorit, në kuadër të hetimeve për certifikatat e dyshuara si të falsifikuara.
Për momentin, Xhaka duket se po e kalon këtë periudhë larg grumbullimit të Kombëtares dhe pranë familjes, ndërsa postimi i fundit ishte edhe mesazhi i tij i parë për mbështetjen që ka marrë pas zhvillimeve të ditëve të fundit.
