Njohësi i çështjeve të sigurisë, Gurakuç Kuçi, ka ngritur alarmin për atë që e cilëson si një fazë të re të operacioneve ruse në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar se Moska tashmë po vepron përmes rekrutëve lokalë, kryesisht serbë, në vend të agjentëve të drejtpërdrejtë rusë.
Duke iu referuar një interviste të fundit të gazetarit investigativ Hristo Grozev për ETV, Kuçi në një reagim në Facebook thekson se “Rusia ka kaluar nga operacionet e drejtpërdrejta te delegimi subversiv, duke përdorur qytetarë lokalë si instrumente ndikimi, destabilizimi dhe sabotimi”. Sipas tij, ky ndryshim përfaqëson një konsolidim të thellë të ndikimit rus në rajon, sidomos pas ekspozimit të rrjeteve të GRU-së dhe kufizimit të lëvizjes së agjentëve rusë në Evropë.
Kuçi veçon si shqetësues faktin se, sipas Grozev, studentët në universitetet serbe janë kthyer në objektiv parësor të rekrutimit, ndërsa për këtë linjë përmendet emri i Edvard Shishmakov, i njohur si një nga organizatorët kyç të tentativës për atentat ndaj ish-presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, në vitin 2016.
“Atentati u parandalua vetëm falë informacionit të siguruar nga inteligjenca e Kosovës, çka tregon përmasën rajonale të operacionit”, thekson Kuci, duke shtuar se zinxhiri i komandës, sipas të dhënave të publikuara, shkon deri te Andrei Averjanov, çka, sipas tij, rrëzon narrativën e “operativëve të vetmuar”.
Sipas Kuçit, Grozev në intervistë përmend edhe kontakte të drejtpërdrejta në qeveri të rajonit, veçanërisht në Serbi dhe Mal të Zi, si dhe në parlamente, organizata fetare dhe rrjete proreligjioze, përfshirë Kishën Ortodokse, të cilat ai i konsideron si kanale funksionale të ndikimit rus.
Në rastin e Malit të Zi, Kuçi nënvizon se rreziku kryesor nuk është dalja formale nga NATO, por qasja në informacion të klasifikuar përmes aktorëve politikë me lidhje të mëparshme ose aktuale me struktura ruse. “Ky është skenari ideal për Moskën: një shtet anëtar i NATO-s që mbetet brenda aleancës, por shërben si burim informacioni dhe dobësie nga brenda”, shprehet ai.
Duke iu referuar edhe punimit të tij shkencor “Geopolitical Risks and Reconfigurations: Serbia and the Challenge to Montenegro’s Stability”, Kuçi argumenton se pas vitit 2020 Serbia dhe Rusia kanë kaluar në një fazë të luftës hibride të institucionalizuar, duke përdorur zgjedhjet, partitë politike, kishën, median dhe ndërhyrjet demografike si mjete presioni strategjik.
“Ndryshimet politike në Mal të Zi nuk ishin thjesht rotacion demokratik, por rezultat i një ndërhyrjeje të koordinuar hibride, ku Beogradi vepron si nyje rajonale dhe Moska si dirigjent strategjik”, thekson ai.
Ai përmend gjithashtu përfshirjen e Serbisë dhe Rusisë në procese zgjedhore në Moldavi, Francë dhe në rastet e përgjimeve në Bruksel, si dhe marrëveshjen e dhjetorit 2021 mes inteligjencave ruso-serbe për ndalimin e të ashtuquajturave “revolucione me ngjyra”, të cilën e cilëson si dëshmi të koordinimit të tyre publik.
“Ballkani po destabilizohet nga një strategji aktive, e vazhdueshme dhe e adaptuar e Rusisë dhe Serbisë. Kush nuk e sheh këtë tani, rrezikon ta kuptojë vetëm kur kostoja politike dhe e sigurisë të jetë shumë më e lartë”, përfundon ai.
