Ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka njoftuar se ka nënshkruar vendimin për vazhdimin e masës mbrojtëse për produktet e naftës që përdoren në transport, me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve dhe sigurimin e konkurrencës së drejtë në treg.
Sipas njoftimit, vendimi është marrë më 3 prill 2026 dhe ka hyrë në fuqi më 4 prill. Në bazë të të dhënave aktuale janë përcaktuar edhe çmimet maksimale të lejuara për derivatet.
Nafta, e importuar me 1.77 euro për litër, mund të shitet deri në 1.91 euro për litër, ndërsa benzina, e importuar me 1.30 euro për litër, mund të arrijë deri në 1.44 euro për litër.
Vendimi parasheh gjithashtu edhe kufizimet për marzhat tregtare, ku shitja me shumicë lejohet deri në 2 eurocent për litër, ndërsa ajo me pakicë deri në 12 eurocent për litër.
Ministrja bëri të ditur se institucionet përkatëse do të rrisin mbikëqyrjen, përfshirë Inspektoratin e Tregut, Doganën e Kosovës dhe Administratën Tatimore, në bashkëpunim me Autoritetin e Konkurrencës.
Ajo u ka bërë thirrje operatorëve ekonomikë që të respektojnë këtë vendim, duke paralajmëruar masa ndëshkuese për çdo shkelje, përfshirë edhe ndëshkime retroaktive./teve1.info/
