Shëndetësi

Kujdes! Një dozë kokainë pas të 50-ave është si ‘superkarikues në Ford Anglia’ – Ja çfarë ndodh me trupin

Një raport i fundit nga Zyra Kombëtare e Statistikave (ONS) në Britani zbuloi se njerëzit më të moshuar vazhdojnë të kenë normat më të larta të vdekjeve nga përdorimi i drogës. Sipas ONS, në vitin 2023 u regjistruan 1,118 vdekje që lidhen me kokainën – 30.5% më shumë se një vit më parë dhe afro 10 herë më shumë se në vitin 2011.

Mendoj se këto shifra janë në fakt një nënvlerësim,” thotë Dr. Niall Campbell, psikiatër në klinikën Priory dhe specialist i varësive. “Kur njerëzit vdesin nga shkak i drogës, shpesh kjo nuk regjistrohet zyrtarisht.

Campbell thekson se ky fenomen nuk kufizohet te profesionistët urbanë, por ndodh në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar: “Një numër i madh njerëzish përdorin kokainë për argëtim, qoftë në Londrën qendrore apo në ndonjë darkë mesklase në Cotswolds. Është një problem kombëtar. Kam një pacient në të gjashtëdhjetat që përdorte shumë kokainë, përjetoi dhimbje në kraharor, ndaloi, kërkoi ndihmë dhe tani është shumë më mirë. Jeton në një qytet të vogël dhe krijoi aty një grup mbështetjeje të Cocaine Anonymous.”

Rreziqet e drogave të zakonshme

Kokaina është burimi më i madh i shqetësimit për sa i përket vdekjeve aksidentale, por edhe droga të tjera të përdorura zakonisht në Mbretërinë e Bashkuar mund të dëmtojnë rëndë shëndetin.

Përdorimi i gjatë i ekstazisë (MDMA) e ul nivelin e serotoninës në tru, gjë që mund të çojë në depresion, ankth dhe lodhje kronike.

Megjithëse gjithnjë e më shumë njerëz po përdorin psilocibinë (këpurdha “magjike”) në doza të vogla për të trajtuar depresionin, këto mund të shkaktojnë sulme paniku dhe të përkeqësojnë problemet ekzistuese mendore.

Përdorimi i rregullt i kanabisit, sidomos i përzier me duhan, lidhet me probleme të frymëmarrjes, depresion, dëmtim të kujtesës, koordinimit dhe funksionit të zemrës – dhe këto efekte përkeqësohen me kalimin e moshës.

Përdorimi i tepërt i ketaminës është gjithashtu i rrezikshëm dhe mund të çojë në dëmtim të fshikëzës, humbje të kujtesës dhe ndryshime në personalitet. Megjithatë, nuk është shumë e përhapur te moshat mbi 50 vjeç.

Përveç toksicitetit të saj, ekzistojnë dy arsye kryesore pse kokaina është më shqetësuese se të gjitha këto droga:

Qasja e lehtë – është droga e dytë më e përdorur në Mbretërinë e Bashkuar pas kanabisit, dhe është bërë më e lirë.

Perceptimi i gabuar – shpesh shihet si më pak e dëmshme se sa është në të vërtetë.

“Shpesh shohim përdorues të rastësishëm që nuk e përdorin më rregullisht, por ajo u është kthyer në jetë në një moment të gabuar,” thotë Campbell.

Pse kaq shumë njerëz mbi 50 vjeç po vdesin nga helmimi me kokainë?

ONS raportoi në 2019 se brezi i “Generation X” ka më shumë gjasa të vdesë nga mbidozimi sepse “gjatë viteve ’80 dhe ’90, shumë prej tyre nisën përdorimin e drogës rregullisht.”

“Këta njerëz ende ndihen të rinj në shpirt,” thotë Campbell. “Mendojnë se mund të bëjnë çfarë bënin në rininë e tyre, por fatkeqësisht, trupi nuk është më i njëjti. Edhe kur e dinë rrezikun, e injorojnë.”

Shumë nga këta persona ose kanë vazhduar të përdorin drogë që nga rinia, ose kthehen herë pas here “për nostalgji”.

Por trupi 55-vjeçar nuk është si ai i 25-vjeçarit. Rreziku është shumë më i madh për shkak të ndjeshmërisë së shtuar ndaj efekteve të drogës.

“Skenari tipik është një grup burrash në të pesëdhjetat që thonë: ‘Hajde shkojmë në Ibiza si në 1999.’ Por trupat e tyre nuk e përballojnë më. Pësojnë probleme të rënda në zemër ose vdesin,” thotë Campbell. “Sa më shumë të plakeni, aq më shumë çdo përdorim i kokainës është si të luani ruletë ruse.”

Si ndikon kokaina në trurin dhe trupin tuaj – dhe si ndryshon kjo me kalimin e moshës?

Të rriturit më të moshuar janë më të ndjeshëm ndaj efekteve të drogës, sepse trupi nuk i përpunon më me të njëjtin efikasitet.

Efektet e menjëhershme përfshijnë:

-enë gjaku të ngushtuara,

-rritje të ritmit të zemrës

-dhe presion të lartë të gjakut.

Këto e rrisin ndjeshëm rrezikun për atak në zemër.

Dr. Farhan Shahid, kardiolog në Harborne Hospital në Londër, thotë: “Shpesh na vijnë në urgjencë pacientë me aritmi (ritëm jo normal të zemrës). Kur merrni kokainë, zemra reagon si në gjendje stresi ekstrem.”

Nëse pacienti është i moshuar dhe ka probleme të tjera shëndetësore, trajtimi bëhet më kompleks – mund të jenë në ilaçe për tensionin apo të kenë kaluar goditje në tru më parë.

Përdorimi afatgjatë i kokainës rrit rrezikun për:

-aneurizma,

-goditje në tru,

-dëmtime në kujtesë dhe funksione njohëse,

-dëmtime në veshka dhe mëlçi – sidomos kur shoqërohet me konsum të lartë alkooli.

Shahid thotë: “Kam trajtuar pacientë 56-vjeçarë që e kishin presionin e gjakut shumë të lartë për shkak të përdorimit të kokainës. Në fund, nuk u bënte më efekt as ilaçi dhe duhej të shtroheshin në spital për mjekim intravenoz.”

Për më tepër, përdorimi i kokainës lidhet edhe me çrregullime mendore si ankthi, paranoja dhe psikozat.

Gjendjet paranojake të shkaktuara nga kokaina përkeqësohen me moshën,” thotë Campbell. “Një pacient i imi, pasi mori kokainë me miqtë, përjetoi një krizë të rëndë depresive dhe u përpoq të vriste veten. Për fat nuk ia doli.”

Si të ndaloni dëmet që shkakton kokaina?

“Përgjigjja është e thjeshtë: ndaloni,” thotë Campbell. “Nëse keni përjetuar palpitacione, është sinjal alarmi. Kërkoni ndihmë, flisni me mjekun tuaj. Ai mund të bëjë një EKG dhe ekzaminime të tjera të zemrës.”

Dr. Shahid shton: “Me trajtimin e duhur dhe ndalimin e përdorimit, shumë nga dëmet mund të rikuperohen. Presioni i lartë i gjakut, për shembull, mund të ulet në nivele të sigurta.”

Edhe nëse nuk keni mundësi të trajtoheni në klinika private si Priory, Campbell rekomandon të kontaktoni Cocaine Anonymous – falas, i përhapur dhe me persona që dinë vërtet çfarë bëjnë.

“Ky fenomen është shqetësues dhe po rritet. Brezi që festonte në 1999 po përballet tani me pasojat. A do të përkeqësohet? Po, sepse shumë njerëz nuk kërkojnë ndihmë – dhe nuk e kuptojnë sa të rrezikuar janë./The Telegraph

Të Ngjashme