Lajme

Kulla: Kosova duhet të reflektojë thellë pas zgjedhjeve, problemet i ka të brendshme

Eksperti i çështjeve politike, Ilir Kulla, ka folur për zhvillimet politike në Serbi dhe ndikimin që ato mund të kenë në Kosovë.

Në emisionin “Matrix”, të moderuar nga Mehmet Kalisi, Kulla tha se protestat e vazhdueshme në Serbi kundër presidentit Aleksandar Vučić nuk pritet të sjellin ndryshime të mëdha politike.

“Situata në Serbi është prej vitesh kështu, por nuk ka ndryshuar asgjë. Atje nuk ka një ofertë tjetër politike ndryshe nga Vuçiqi. Të gjithë bëhen bashkë kundër tij, por kur vijnë zgjedhjet nuk arrijnë të prodhojnë një alternativë politike që do të sillte ndryshim të madh në Serbi”, ka thënë Kulla.

Ai u shpreh se Kosova problemet kryesore i ka të brendshme dhe jo të jashtme.

“Për sa i përket Kosovës, unë e kam thënë se problemin Kosova e ka të brendshëm, nuk e ka të jashtëm. Realisht mendoj që Kosova duhet të reflektojë thellë pas këtyre zgjedhjeve të fundit dhe të mendojë afatgjatë”, deklaroi ai.

Sipas Kullës, nëse situata politike vazhdon në këtë formë, vendet që mund të përballen me probleme janë Bosnja dhe Kosova.

“Dy vendet që rrezikojnë të kenë probleme, nëse gjërat vazhdojnë kështu, do të jenë Bosnja dhe Kosova”, tha ai.

Tutje, ai komentoi edhe zhvillimet politike në Kosovë dhe mundësinë e zgjedhjeve të reja.

“Në Kosovë, brenda një periudhe të shkurtër kemi pasur disa procese zgjedhore. Për një shtet të ri, që ka vetëm 18 vite nga shpallja e pavarësisë dhe ende nuk njihet nga një numër shtetesh, politika duhet të tregojë më shumë pjekuri, vizion dhe angazhim strategjik”, ka thënë Kulla.

Të Ngjashme