Lajme

Kulla: Një shtet bektashian, një shtet shqiptar më shumë, por jo një shtet islamik

Eksperti i Politikave të Sigurisë dhe Gjeopolitikës, Ilir Kulla, vlerëson se një shtet bektashian do të ishte një shtet shqiptar më shumë, por jo një shtet islamik.

Sipas tij, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, me planin për krijimin e një shteti Bektashi brenda territorit shqiptar po synon të bëjë një shtet tjetër si Vatikani, edhe pse siç ka thënë Kulla ‘dy Vatikanë nuk bëhen dot’.

“Nëse do të kemi një shtet bektashian, ai do të jetë një shtet shqiptar më shumë, por jo një shtet islamik më shumë. Pse Rama do ta bëjë këtë shtet kjo është arsye tjetër, por unë mendoj se ai mendon që në qendër të Evropës me ndryshimet e mëdha që pritet të ndodhin, që po ndodhin në botë, në pikëpamjet ekonomike, me luftërat që po flasim, të pasurit një shtet si Vatikani se dy nuk bëhen dot”, ka thënë Kulla në emisionin “Matrix” në Tëvë1.

Kulla nuk e cilëson ide të rrezikshme krijimin e një shteti bektashian nëse sipas tij do të ketë pamjen dhe funksionin e Urdhërit Sovran të Maltës (Urdhër fetar bamirës me qendër në Romë, i njohur edhe si subjekt i të drejtës ndërkombëtare).

“Jo mendoj se jo nëse do të kishte pamjen e Urdhërit Sovran të Maltës nuk është ide e rrezikshme, nëse do të funksionojë sikur Urdhëri Sovran i Maltës i cili ka një seli të vetën në Romë, edhe njihet si shtet sovran pavarësisht se është vetëm një pallat në gjithë botën për shkak të influencës, lidhjes, edhe ata kanë qenë dikur kalorës të ardhur, siç janë bektashinjtë të ardhur në Shqipëri dhe kjo pikëpamje nuk besoj se i prish askujt punë”, ka shtuar Kulla më tej.

Megjithatë, ai ka thënë se lidhur me këtë gjë do të vendosë Gjykata kushtetuese, ndërsa mendon se Rama e ka shpalosur vetëm për të testuar Perëndimin.

“Edhe sikur të merret ky vendim, edhe sikur të ecet përpara, edhe sikur të bëhet kjo pasaportë, edhe sikur të ndahen territoret, edhe sikur të bëhen marrëveshjet në parlament, edhe sikur të votohet marrëveshja në parlament, edhe sikur ti lihet hapësirë territorit, në fund do të flas Gjykata Kushtetuese. Por, para kësaj, unë mendoj se arsyeja pse Rama ka vendosur ta shpalosë këtë ide në  Asamblenë e Kombeve të Bashkuara ka të bëjë me faktin që ai ka dashur të testojë Perëndimin se cka mendojnë për këtë gjë”, ka theksuar ai.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, në Asamblenë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) ka shpalosur shkurtimisht planin për krijimin e një shteti Bektashi brenda territorit shqiptar, në stilin e Vatikanit. Siç tha, frymëzimin për këtë e kishte marrë edhe nga shembulli i shenjtores katolike shqiptare, Nënë  Tereza.

Propozimi i Ramës për krijimin e një shteti sovran të “Urdhrit Bektashi” ka ngjallur reagimin e disa shoqatave fetare dhe shoqërisë civile në Shqipëri.

Një grup shoqatash islame si Mexhlis, TUMED, Thirrja në Mirësi, Unioni Shqiptar i Teologeve dhe Palestina e Lirë kanë protestuar të mërkurën nën sloganin “Jo në emrin tim”./teve1.info/