Kuriozitete

Kulmi i frikës nga konspiracionet – Kur Frimasonët dhe Illuminati ngjallnin panik

Nga Derek Arnold/

Mënyra se si përhapen teoritë konspirative ka ndryshuar shumë në historinë e SHBA-së, për shkak të zhvillimit të teknologjisë dhe mediave. Por vetë natyra e tyre ka mbetur pothuajse e njëjtë.

Unë jap lëndën e komunikimit në Villanova University, rreth 20 km larg Philadelphia-s, ku shpjegoj si krijohen dhe përhapen teoritë konspirative.

Ndërsa vendi i afrohet 250-vjetorit me 4 korrik 2026, kam menduar për historinë e hershme të Philadelphia-s dhe për njerëzit, historitë dhe idetë e debatueshme, përfshirë edhe konspiracionet, që ishin të përhapura në gjysmën e dytë të viteve 1700.

Teoritë konspirative japin versione alternative të ngjarjeve, si për shembull rrëzimi i kullave binjake me 11 shtator 2001, që bien ndesh me versionet zyrtare. Ndërsa konspiracionet janë veprime të fshehta nga grupe të vogla njerëzish për përfitim personal dhe kundër interesit të përbashkët. Shembuj janë skandali i Watergate-it nga Richard Nixon-i dhe administrata e tij, apo eksperimentet mbi Tuskegee-t ku afro-amerikanët u trajtuan pa dijeninë e tyre.

Image

Amerika koloniale ishte plot me dyshime për komplote. Shumë prej tyre lidheshin me marrëdhënien e tensionuar mes politikës dhe fesë, që sapo ishte mbrojtur nga Amendamenti i Parë, sidomos me Kishën Katolike.

Frimasonët në Philadelphia

Philadelphia ishte qendra politike gjatë Revolucionit Amerikan që filloi në 1775-ën. Pas fitores në 1781-in, ajo u bë kryeqyteti i SHBA-së në 1790-ën, deri kur Uashingtoni u zgjodh si kryeqytet i përhershëm në vitin 1800.

Image

Gjatë kësaj kohe, vendi mbështetej te figura politike dhe qytetare për të zhvilluar liderët e rinj. Mes tyre ishin edhe frimasonët, një vëllazëri mjeshtrash ndërtimi.

Në Angli, shumë prej tyre punonin për pronarë tokash apo familje mbretërore, por disa ishin të pavarur. Kur erdhën në Amerikë në vitet 1720, standardet e tyre të larta dhe mënyra e drejtë e punës i bënë të rëndësishëm në shoqëri.

Të ishe frimason ishte shenjë prestigji. Ata ishin burra të pasur dhe me ndikim, dhe organizata u jepte mundësi lidhjesh në biznes, tregti dhe administratë.

Nga fundi i viteve 1740, shumica e frimasonëve në Philadelphia ishin tregtarë, pronarë anijesh ose zejtarë të suksesshëm, dhe konsideroheshin liderë politikë dhe intelektualë. Ata ndërtuan shumë struktura të rëndësishme në Philadelphia, në jug të New Jersey, si dhe në New York City dhe Boston.

Por për shkak se ritualet e tyre ishin sekrete, u përhapën thashetheme. Disa besonin se ata komplotonin kundër vlerave amerikane, sidomos kundër fesë.

Frimasonët mbështesnin racionalizmin, idenë se dija bazohet në logjikë dhe shkencë, jo në besime fetare. Ata besonin se gjithçka ka shkaqe natyrore, jo hyjnore.

Ata i trajtonin të gjitha fetë njësoj dhe nuk besonin se njëra kishte të vërtetën absolute. Kjo binte ndesh me disa fe të tjera. Në vitin 1738, Papa Klementi XII i ndaloi katolikët të bëheshin frimasonë, një ndalim që ekziston ende sot.

Illuminati “pa Zot”

Një tjetër shoqëri sekrete, Illuminati, u bë e njohur në Europë dhe ngjalli dyshime edhe në Amerikë.

Kjo lëvizje, e krijuar në Gjermani në vitin 1776, promovonte ide të Iluminizmit si logjika, arsimi dhe laicizmi. Si frimasonët, ata refuzonin supersticionet, por ndryshe prej tyre, refuzonin edhe fenë dhe ndikimin e saj.

Europa i ndaloi kryesisht para vitit 1790, sepse kërkonin të dobësonin shumë rolin e fesë. Në Bavari, ata kishin ndikim në arsim dhe qeveri.

Illuminati u përpoq të hynte në rrjetet e frimasonëve për të rekrutuar anëtarë dhe për të përhapur idetë e tyre për një qeveri globale të bazuar në arsye, jo në fe.

Image

Si pasojë, liderët fetarë, sidomos katolikët, dyshonin për lidhje mes Illuminatit dhe frimasonëve.

Në një letër drejtuar George Washington-it në vitin 1798, prifti G. W. Snyder e paralajmëroi për rrezikun e Illuminatit dhe ndikimin e tyre. Ai përmendi librin “Proofs of a Conspiracy” nga John Robison, që sipas tij përshkruante një grup që donte të rrëzonte çdo qeveri dhe fe, madje edhe vetë idenë e Zotit.

Edhe sot, teoritë konspirative vazhdojnë të përhapin idenë se Illuminati-t ekzistojnë ende, edhe pse janë ndaluar zyrtarisht në Europë. Këto teori thonë se ata vazhdojnë të dobësojnë ndikimin e fesë përmes trazirave shoqërore. Ekziston edhe miti se ata veprojnë fshehurazi, mbështesin një qeveri botërore dhe ndikojnë qeveritë për të kontrolluar ekonominë globale.

Por në fund të viteve 1700, Illuminati shpesh lidhej me idetë që njerëzit mendonin se kishin frimasonët në Amerikë. Disa amerikanë dyshonin, pa prova të qarta, se frimasonët ndihmonin njëri-tjetrin për të marrë poste në qeveri. Ata kishin frikë se kjo mund ta kthente Amerikën në një vend pa fe, madje edhe “satanik”.

Dyshimet u shtuan sepse presidentët George Washington dhe James Monroe ishin frimasonë. Publiku mendonte se ata kishin arritur në pushtet falë këtij rrjeti. Në fakt, rreth 25 nga 55 delegatët e Konventës Kushtetuese të vitit 1787 në Philadelphia ishin frimasonë. Benjamin Franklin ishte frimason për më shumë se 50 vjet. Thomas Jefferson mendohej shpesh se ishte frimason, por nuk ka shumë prova për këtë.

Shumë nga këta liderë amerikanë, si Benjamin Franklin, John Adams dhe Thomas Jefferson, kishin jetuar në Europë, sidomos në Francë. Amerikanët kishin frikë se anëtarët europianë të Illuminatit mund të lidhnin kontakte me ta dhe të fitonin ndikim në SHBA. Asnjë nga këta liderë nuk pranoi lidhje me Illuminatin.

Kulmi i frikës nga konspiracionet

Frika ndaj frimasonëve dhe Illuminatit arriti kulmin gjatë zgjedhjeve presidenciale të viteve 1796 dhe 1800.

Në zgjedhjet e 1796, partia republikane e Thomas Jefferson-it akuzoi John Adams-in se donte të bëhej mbret dhe të vendoste djalin e tij, John Quincy Adams, si pasues.

Ndërkohë, partia federaliste e Adams-it dhe një autor anonim në gazeta, që dyshohej të ishte Alexander Hamilton me pseudonimin “Phocion”, përhapën thashetheme kundër Jefferson-it. Sipas tyre, kur ai ishte sekretar shteti në Francë, Illuminati kishte ndikuar tek ai që të largohej nga feja.

Phocion gjithashtu e akuzoi Jefferson-in se kishte fëmijë me një skllave, Sally Hemings-in. Historianët besojnë se ai vërtet pati deri në gjashtë fëmijë me të. U përhapën edhe zëra se Jefferson-i do t’i lironte të gjithë skllevërit nëse bëhej president.

Adams-i fitoi ngushtë në vitin 1796, por Jefferson-i e mundi në vitin 1800.

Image

Frimasonët sot

Sot, frimasonët nuk kanë më ndikimin e madh që kishin dikur në shoqërinë amerikane. Ata janë kryesisht një organizatë bamirëse që ndihmon spitale për fëmijë, shtëpi për të moshuar dhe shërbime komunitare.

Sipas një vlerësimi të vitit 2020, në Amerikë ka rreth 1 milion anëtarë, shumë më pak se mbi 4 milionë që ishin në vitin 1959.

Gjurmë nga ajo kohë

Vizitorët në Philadelphia mund të shohin disa vende që kujtojnë teoritë konspirative të asaj kohe.

Një tabelë në 175 Front Street tregon vendin ku ndodhej Tun Tavern, një nga birraritë e para në Amerikë, që funksionoi nga 1691 deri në 1781. Ishte vend ku mblidheshin frimasonët, përfshirë Benjamin Franklin-in dhe John Adams-in.

Image

Shumë nga lozhat masonike të hershme nuk ekzistojnë më. Tempulli i parë masonik në Philadelphia u ndërtua në vitin 1809, por u dogj në vitin 1819.

Ndërtesa aktuale e lozhës së madhe të Pennsylvania u ndërtua në vitin 1873 përballë bashkisë dhe përdoret ende sot. Është një vend i njohur për turistët dhe ofron ture nga e mërkura në të shtunë, nga ora 10:00 deri në 15:00. /Conversation – Syri.net

Të Ngjashme