LifeStyle

Kumbullat e fundit të verës dhe vlerat e jashtëzakonshme për kaq shumë funksione të organizmit

Kumbullat janë fruta jashtëzakonisht të shijshme dhe të preferuara nga konsumatori shqiptar. Kumbulla i përket familjes botanike Rosaceae që përfshin pjeshkat, kajsitë dhe nektarinat. Kumbullat i gjejmë në ngjyra dhe forma të ndryshme në plot 2000 varitetete. Në vendin tonë, prodhimi më i lartë i kumbullave vërehet në zonat e Fierit, Lushnjës, Beratit, Korçës, Pogradecit, Shkodrës dhe Shqipërisë së Mesme. Kumbullat mund të konsumohen të freskëta, mund të thahen ose mund të përpunohen. Pema e kumbullës rritet nga 10 në 15 metra. Frutat që rriten kanë karakteristika të ndryshme në varësi të llojit të mbjellë. Tuli i lëngshëm i kumbullës varion nga ngjyra e verdhë në të kuqen e ndezur. Ngjyra e lëkurës së jashtme të kumbullës gjithashtu varion nga e verdha, e kuqja e errët apo vjollca. Kumbullat janë një burim i pasur vlerash shëndetësore, vitaminash dhe mineralesh. Ato përmbajnë vitamina të rëndësishme si A, C, K, B1,B2, B3 ,B-6 dhe vitaminë E. Kumbullat përmbajnë minerale të çmuara si: kaliumi, fosfori, magnezi, hekuri, kalciumi dhe zinku. Ato janë burim i pasur fibrash dhe kanë pak kalori.

Vlerat shëndetësore të kumbullës
Kumbullat janë të mbushura me antioksidantë që janë burim i një sërë vlerash të pasura shëndetësore. Kumbullat përmbajnë vitaminë C dhe fitonutrientë. Këto përbërës kanë vlera anti oksiduese që parandalojnë dëmin e shkaktuar nga radikalet e lira. Substancat që gjenden tek kumbulla ofrojnë mbrojtje të yndyrnave thelbësore tek neuronet dhe membranat e qelizave kundrejt çdo sulmi që mund të shkaktohet nga stresi apo vetë proçesi i oksidimit.

Diabeti: Kumbulla ka efekt anti hiperglicemik dhe ndihmon në luftimin e diabetit. Studimet kanë treguar që konsumimi i kumbullave ndihmon në reduktimin e glukozës dhe triglicerideve në gjak. Flavonoidët që gjenden tek kumbulla kanë vlera mbrojtëse kundër rezistencës së insulinës në trup.

Osteoporoza: Konsumimi i kumbullave të thata ndihmon në ruajtjen e shëndetit të kockave. Flavonoidët tek kumbullat parandalojnë përkeqësimin e indeve të kockave dhe si rrjedhojë sëmundjen e osteoporozës tek femrat pas menopauzës. Falë përmbajtjes së tyre, kumbullat e thata inkurajojnë formimin e kockave, dendësinë e tyre dhe ndalojnë shkatërrimin e tyre si pasojë e mungesës së hormoneve apo plakjes.

 

Tretja: Kumbullat janë një burim i pasur fibrash që rregullojnë sistemin tretës. Sipas studimeve, kumbullat e njoma ose ato të thata janë tepër efektive për të trajtuar çrregullimet në tretje siç është edhe konstipacioni.
Shëndeti mendor: Studimet kanë treguar që flavonoidët e pranishëm në lëngun e kumbullës mbrojnë njeriun nga degjenerimi i trurit si pasojë e moshës. Fitonutrientët që gjenden tek kumbulla ulin inflamacionin në zonat neurologjike dhe përmirësojnë funksionet e kujtesës. Konsumimimi i rregullt i kumbullave gjithashtu ndihmon në parandalimin e çrregullimeve nervore siç janë Alzheimer dhe Parkinson.

Sistemi nervor: Kumbulla përmban vitaminë B-6, që ndihmon në transmetimin e sinjaleve nervore dhe ruan funksionimin e mirë të të gjithë sistemit. Ato ndihmojnë në zhvillimin e trurit dhe formimin e hormoneve që kanë ndikim tek humori ynë. Triptofani është një amino acid që ndihmon në prodhimin e neurotransmetuesit serotoninë që luan një rol të rëndësishëm për gjumin, oreksin dhe përqëndrimin.
Shëndeti kardiovaskular: Konsumimi i kumbullave ruan shëndetin e zemrës. Sipas studimeve, nëse i konsumoni kumbullat e thata rregullisht, një gjë e tillë do të përmirësojë qarkullimin e gjakut në arterie. Por jo vetëm kaq. Kumbullat parandalojnë disa çrregullime kardiake, zhvillimin e aterosklerozës dhe ulin rrezikun për atakun në zemër.

Sistemi imunitar: Kumbullat janë të rëndësishme për të forcuar sistemin imunitar falë pranisë së vitaminës C. Ato forcojnë rezistencën e trupit ndaj infeksioneve të ndryshme dhe inflamacioneve. Studimet kanë treguar që kumbullat orientale luajnë rol parandalues për metastazat e qelizave kancerogjene dhe kanë vlera të mëdha në parandalimin e një sërë sëmundjeve të tjera.
Ruan nivelet e kolesterolit: Lëngu i kumbullës ruan kolesterolin e mëlçisë në nivele normale. Fibra nga ana tjetër mbron zemrën duke ulur kolesterolin e keq dhe rritur kolesterolin e mirë.
Shëndeti i qelizave: Kumbullat përmbajnë hekur dhe bakër që ndihmojnë në formimin e qelizave të kuqe të gjakut, e pastrojnë atë dhe sigurojnë një qarkullim të mirë të tij. Bakri shërben si antioksidant dhe është thelbësor për shëndetin e nervave. Ai gjithashtu ndihmon në formimin e kolagjenit. Konsumimi i kumbullave ndihmon në përthithjen e hekurit dhe parandalon disa sëmundje siç është anemia ose osteoartriti.
Ankthi: Konsumimi i rregullt i kumbullave ul ankthin. Sipas studimeve, kumbullat janë një burim i pasur antioksidantësh dhe acidesh që ofrojnë zgjidhje kundër disa sjelljeve të shkaktuara nga ankthi dhe dëmeve nga stresi.