Shëndetësi

Kura për kancerin mund të jetë te…kastraveci i detit!

Shkencëtarët e Universitetit të Misisipit kanë zbuluar se një kastravec deti mund të jetë sekreti për të ndaluar përhapjen e qelizave kancerogjene në trup. Ky zhvillim i ri mund të shndërrojë mënyrën e  trajtimit të disa prej tumoreve më agresive.

Një përbërës i ngjashëm me sheqerin, i cili gjendet te kastravecët e detit, përkatësisht te lloji Holothuria floridana, mund ‘të fikë’ enzimën Sulf-2 që shkakton probleme te pacientët me kancer. Prodhimi i saj përshpejton rritjen e tumoreve, përhapet në pjesë të tjera të trupit dhe u reziston trajtimeve tradicionale. Sulf-2 lidhet me kancerin e gjirit, mushkërisë, pankreasit, kokës dhe qafës.

Përbërësi në fjalë i tejkaloi mjekimet ekzistuese në testet laboratorike. Edhe pjesët më të mira dhe më të vogla të tij ruanin aftësitë e tyre në luftimin e kancerit duke shkaktuar më pak efekte anësore.

“Kërkimi në zbulimin e ilaçeve dhe zhvillimin e produkteve natyrale fokusohet më shumë te elementët tokësorë”, shprehet dr. Vitor Pomin për StudyFinds. “Kërkimet tona te elementët e marrë nga gjallesat  detare tregojnë se biodiversiteti ujor mund të fshehë lëndë mjekësore që për tani nuk po zbulohen për shkak të aksesit më të ulët në mjedisin detar dhe dominimin e kërkimeve në burimet tokësore. Mjedisi ujor duhet të trajtohet si një burim unik dhe i pasur i mjekimeve të reja dhe të fuqishme.

Kastravecët e detit të cilët gjenden në shtratin e oqeanit, prodhojnë disa molekula komplekse sheqeri si pjesë të sistemit të tyre mbrojtës. Shkencëtarët po i studiojnë seriozisht këta organizma për elementë mjekësorë që mund të ndihmojnë në luftimin e sëmundjeve.

Molekula në fjalë funksionon ndryshe nga pjesa më e madhe e mjekimeve ndaj kancerit. Në vend që të ndërhyjë te funksioni normal i enzimës, ndryshon si ajo vepron. Ky lloj bllokimi rezulton në efekte më të qëndrueshme dhe të parashikueshme duke e bërë trajtimin më të fuqishëm.

Njëkohësisht, molekulat e tij më të vogla janë lajme më të mira. Ato shkaktojnë më pak efekte anësore, prodhohen më lehtë dhe mund të modifikohen për të rritur efektivitetin.

Studimi nuk i përjashton kufizimet. Ai është kryer në kushte laboratorike duke përdorur enzima të pastra dhe sisteme kulturash qelizore, ndaj rezultatet mund të mos jenë direkte te pacientët. Njëkohësisht, shkencëtarëve u duhet të kuptojnë sesi molekula sillet te organizmat e gjallë dhe nëse mund të kthehet në një trajtim efektiv.

Njëkohësisht, studimi nuk është fokusuar te efektet afatgjatë dhe ndërveprimi me mjekime të tjera.

Të Ngjashme