Lajme

Kurti: Arkivi i Kosovës, gardian i kujtesës historike të vendit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në shënimin e 75-vjetorit të themelimit të Arkivit të Kosovës, duke e cilësuar këtë përvjetor si dëshmi të një rrugëtimi të gjatë në ruajtjen e kujtesës kolektive.

Sipas njoftimit zyrtar, i shoqëruar nga ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, si dhe ministri i Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, Kurti ka theksuar rëndësinë që arkivat kanë pasur ndër dekada për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe shtetëror.

“Për shtatë dekada e gjysmë, arkivat kanë qenë më shumë se një institucion – ato kanë qenë mbrojtës të së vërtetës historike. Në fondet e tyre ruhen dokumente që dëshmojnë historinë, sfidat dhe arritjet tona si shoqëri”, ka deklaruar ai.

Kryeministri ka shprehur mirënjohje për të gjithë kontribuuesit ndër vite në zhvillimin e këtij institucioni, duke veçuar si arritje të rëndësishme procesin e digjitalizimit të materialeve arkivore.

Sipas tij, digjitalizimi masiv ka rritur sigurinë e ruajtjes së dokumenteve dhe ka lehtësuar qasjen për qytetarët dhe studiuesit.

Po ashtu, lansimi i sistemit elektronik për menaxhimin e materialeve arkivore është cilësuar si hap drejt modernizimit dhe rritjes së efikasitetit institucional.

“Arkivat janë kujtesa e shkruar e shtetit dhe shoqërisë sonë – një pasuri që duhet ruajtur dhe transmetuar me përgjegjësi te brezat që vijnë”, ka theksuar Kurti.

Në përmbyllje, ai ka riafirmuar përkushtimin e institucioneve për të mbështetur më tej Arkivin e Kosovës, duke nënvizuar se investimi në arkiva është investim në të vërtetën historike dhe qëndrueshmërinë shtetërore./teve1.info./

Të Ngjashme