Lajme

Kurti dhe Clark flasin për planet zhvillimore të Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të enjten ka pritur në takim gjeneralin Wesley Clark njëherësh ish-komandant suprem i NATO-s gjatë luftës në Kosovë.

Në komunikatë thuhet se Kurti dhe Clark kanë diskutuar për përparimin që ka shënuar Kosova, për zhvillimet aktuale rajonale, si dhe për mundësitë e bashkëpunimit.

Po ashtu bëhet e ditur se Clark është interesuar për planet zhvillimore të Kosovës në një kohë të ndryshimeve dhe mundësive të mëdha në botë.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti në takim gjeneralin Wesley Clark, njëherësh ish-komandant suprem i NATO-s gjatë luftës në Kosovë e që vazhdon të mbetet mik dhe përkrahës i popullit dhe shtetit të Kosovës. I shoqëruar nga i biri që i ka përtërirë emrin dhe bashkëpunëtorë nga vende të ndryshme, ushtaraku amerikan u interesua për planet zhvillimore të Republikës së Kosovës në një kohë të ndryshimeve dhe mundësive të mëdha në botë. Bashkë diskutuan përparimin që ka shënuar vendi ynë, për zhvillimet aktuale rajonale, dhe për mundësitë e bashkëpunimit. Kryeministri Kurti falënderoi gjeneralin Clark për interesimin e vazhdueshëm për vendin tonë, për kontributin e tij të jashtëzakonshëm për çka i jemi mirënjohës gjithmonë. Në takim, kryeministri Kurti u shoqërua nga Shefi i Stafit, Luan Dalipi, dhe zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku”, thuhet në komunikatë./teve1.info/