Fushata zgjedhore po zhvillohet gjithnjë e më shumë edhe jashtë kufijve të Kosovës, me fokus të veçantë te diaspora, e cila vazhdon të ketë një rol të rëndësishëm në proceset politike dhe zgjedhore të vendit.
Vizitat dhe takimet e liderëve politikë me mërgatën, pak para zgjedhjeve të 7 qershorit, po nxisin diskutime mbi rëndësinë që partitë po i kushtojnë votës së diasporës dhe ndikimit të saj në rezultatin zgjedhor.
E për ndikimin e diasporës në zgjedhjet e 7 qershorit në Kosovë, si dhe tubimeve të partive jashtë Kosovës foli në një prononcim për “Bota sot”, veprimtari shqiptaro-amerikan, Agim Aliçkaj.
Si fillim, ai u shpreh se, partitë politike e kanë kuptuar fuqinë e votës së diasporës, për këtë edhe kanë shtuar tubimet dhe organizimet në shtetet ku ka shqiptarë.
Mirëpo, sipas tij, partitë opozitare nuk kanë ide si t’i bindin shqiptarët të votojnë për ta, madje paraqitjet e tyre i konsideroi si kontradiktore dhe përçmuese ndaj diasporës.

Agim Aliçkaj.
“Zgjedhjet e imponuara nga partitë opozitare të Kosovës po afrohen. Disa politikanë dhe partitë e tyre kanë rritur organizimin e fushatave jashtë vendit. Ata e dinë rëndësinë e votës së diasporës dhe ndikimin e saj në rezultatin e zgjedhjeve, veçanërisht në rastet e garave të ngushta dhe tejkalimit të pikave kyçe siç janë pragu zgjedhor dhe 50 përqindëshi. Por, partitë opozitare nuk kanë ide se si ta përfitojnë diasporën.
Paraqitjet e disa politikanëve të opozitës janë kontradiktore, të ulëta, të dëmshme, nënçmuese dhe përçmuese ndaj diasporës. Ata kërkojnë vota, por deklarojnë se Diaspora nuk duhet të ketë të drejtë vote. Ata lakmojnë votat, por votojnë kundër Ligjit për Shtetësinë. Ata duan vota, por deklarojnë se mërgimtarët janë injorantë të “mashtruar” nga Kryeministri Kurti.
Ata dhe shërbëtorët e tyre në shtypin shqiptar “harrojnë” se Mërgata dhe populli i të gjitha trojeve shqiptare janë një dhe të pandashëm. Kushdo që përpiqet t’i ndajë dhe t’i përçajë do të dështojë me turp.
Ata “harrojnë” se gjatë gjithë historisë, që nga koha e Nolit dhe Konicës, shumë heronj dhe mendimtarë të shquar kombëtarë kanë ardhur nga diaspora dhe kanë dhënë gjithçka për për lirinë e kombit dhe për ardhmërinë e tij”, shtjelloi ai.
Krahas kësaj, Aliçkaj vlerëson se partitë që ishin në opozitën, nuk kanë vizion të qartë për të ardhmen e shtetit dhe se kanë humbur lidhjen me popullin e Kosovës.
Në këtë pikë, ai përmendi për “Bota sot” edhe kritikat dhe akuzat që ia bëjnë në vazhdimësi Kurtit.
“Partitë opozitare, që nga humbja e tyre e merituar në zgjedhjet e vitit 2021, kanë humbur plotësisht lidhjen me shumicën e popullit të Kosovës dhe të Mërgatës. Ato nuk kanë programe apo vizion të vërtetë për t’iu kundërvënë Serbisë dhe për të zhvilluar shtetin. Ato nuk dinë gjë tjetër përveç kritikave boshe dhe mohimit të të gjitha arritjeve të Kryeministrit Kurti.
Pa hyrë në analizën e arritjeve të shumta, mjafton të tregohet që ato po përpiqen të bindin popullin dhe mërgatën se Albini nuk bëri asgjë në veri ose veproi gabim, që do të thotë se sipas tyre, koha e barrikadave, bandave serbe dhe kontrollit total të Veriut nga regjimi serb ishte shumë e mirë. Si mund t’i marrë dikush seriozisht dhe të mendojë të votojë për politikanë të tillë?!”
Në vazhdim, veprimtari shqiptaro-amerikan potencoi se, partitë befasohen se pse populli po e voton Kurtin, e më pas sulmojnë edhe qytetarët për mbështetjen që ia japin të parit të LVV-së.
Fatkeqësisht, sipas tij, sulmet dhe akuzat ndaj Kurtit nuk po ndalen, vetëm sa po ashpërsohen ato nga kundërshtarët e tij politikë, e këtu kishte edhe disa kritika për Osmanin.
“Pastaj habiten pse populli nuk voton për ta, por për Albinin dhe gjejnë ngushëllim në arsyetimin se populli është “mashtruar”, kështu që e shndërrojnë fushatën zgjedhore në sulme kundër popullit. Ata e orientojnë marrjen e pushtetit drejt bllokadave dhe formave të tjera të paligjshme të veprimit, duke shpresuar ta kthjellin popullin nga “mashtrimet”. Ata nuk e kuptojnë se kushdo që fillon një konflikt me popullin dështon me turp.
Keqbërjet e opozitës vazhdojnë me shpifje, sharje, ofendime dhe mashtrime të tilla si “Albin Cerrnagori”, “Albin Serbia”, “spiun i Serbisë dhe Rusisë”, “antiamerikan”, “arrogant, diktator komunist autokratik”, “gënjeshtar, hajdut, mashtrues, tradhtar” që kulmojnë me kërcënime fizike. Kjo gjithashtu po i inkurajon anëtarët dhe mbështetësit e pozitës të kundërpërgjigjen njësoj dhe Kosova po shndërrohet në një arenë sjelljesh të këqija dhe goditjesh të ulëta.
Kthimi i ish-presidentes Osmani në LDK dhe paraqitjet e saj zhgënjyese brenda dhe jashtë Kosovës me z. Abdixhiku duken shumë të orkestruara dhe artificiale. Përpjekjet e saj për të marrë të gjitha meritat për arritjet e qeverisë duke akuzuar KM Kurtin si pengues dhe antiamerikan janë absurde. Nuk ka asnjë mundësi që Kosova të udhëhiqet nga politikanë antiamerikanë. Kosova është fëmija i Amerikës dhe orientimi proamerikan është një çështje ekzistenciale”.
Në fund, Aliçkaj shtoi se, mëgata në SHBA ishte e lumtur me paraqitjet e Osmanit, pro jo edhe me lidhjet e saj me Edi Ramën.
Ai tha se, komuniteti shqiptaro-amerikan i di mjaftë mirë lëvizjet politike dhe nuk mashtrohet lehtë.
“Mërgata e Kosovës në Amerikë ishte e lumtur me përfaqësimin dhe paraqitjet e znj. Osmani, por jo me lidhjet e saj të dyshimta me kryeministrin pro-serb të Shqipërisë, Edi Rama, dhe qarqet e infiltruara nga Serbia. Komuniteti shqiptaro-amerikan e di shumë mirë se si funksionon Amerika dhe si të punojë me përfaqësuesit amerikanë. Diplomatët amerikanë si Grenell, Hill dhe Escobar dolën në anën serbe dhe ata duhej të përballeshin me metoda diplomatike dhe lobiste, jo me përulësi.
Diaspora e Kosovës është shumë e aftë, e pavarur, shumë e informuar dhe nuk mund të mashtrohet. Ndikimi i saj në rezultatin e zgjedhjeve shkon përtej hedhjes së një vote. Lidhjet familjare, shoqërore dhe të tjera midis Mërgatës dhe popullit të Kosovës janë të forta. Edhe një herë, Mërgata do të jetë më shumicë në anën e KM Kurtit, në mbrojtje të votës dhe vullnetit të deklaruar në zgjedhjet e kaluara që KM Kurti të vazhdojë të qeverisë Kosovën për një mandat tjetër të plotë.
Mërgata e Kosovës me shpirt dhe zemër është “krejt për shtet dhe shtet për krejt”, për një Kosovë dardane, të lirë dhe plotësisht të pavarur nga ndikimi serb. Pa Mërgatën nuk ka Kosovë! Qitjani Pikën!” – përfundoi Agim Aliçkaj për “Bota sot”.
