Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas ndeshjes së fundit të Kosovës në stadiumin Fadil Vokrri, duke shprehur keqardhjen për rezultatin.
Në një postim publik, Kurti theksoi se pavarësisht zhgënjimit, Kosova ka dhënë emocione të jashtëzakonshme dhe ka bërë krenar gjithë vendin. Ai vlerësoi përkushtimin e lojtarëve, trajnerit dhe stafit, duke shtuar se fakti që Kosova ishte pranë kualifikimit tregon potencialin për arritje të mëdha në të ardhmen
“Edhe sot e çdo ditë tjetër, forca Kosovë!”, përfundoi ai, duke bërë thirrje për mbështetje të vazhdueshme ndaj ekipit.
Postimi i Kurtit:
Të gjithë jemi ende të pikëlluar dhe të mërzitur nga ndeshja e mbrëmshme në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Tash na vlon meraku kolektiv: do të mund të bëhej kështu sikur t’ia kishim bërë ashtu, ky apo ai, ose që të dy… E di që kemi dëshiruar një lojë ndryshe e rezultat tjetër, se i tërë kombi donte fitore, por edhe djelmoshat tanë e meritonin gjithashtu.
Por le të mos harrojmë që përfaqësuesja jonë na ka dhënë emocione të jashtëzakonshme duke na bërë krenarë aq shumë sa t’u jemi mirënjohës përgjithmonë e përkrah përherë. Fakti që ishim kaq pranë kualifikimit tregon sa afër madhështisë jemi. Dhe shpejt, aty do të jemi.
Andaj edhe sot e çdo ditë tjetër, forca Kosovë! Faleminderit të gjithë lojtarëve, trajnerit dhe stafit për angazhimin e madh në secilën ndeshje.
