Lajme

Kurti kundër zgjedhjeve të reja: Zgjedhja e presidentit, detyrim kushtetues; paralajmëron kompromis për presidentin

20.04.2026 – 09:33

Kurti: Komisioni Evropiani nis transferimin e mjeteve në vlerë 61 milionë euro për Planin e Rritjes

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për kompromis për presidentin, duke thënë se duhet vullnet për zgjidhje e vendime jo të lehta.

Në mbledhjen e Qeverisë, Kurti tha se shkuarja në zgjedhje nuk është opsion për vendin.

Kurti paralajmëron kompromis për presidentin

“Kemi hyrë në pjesën e fundit të muajit prill, dhe para vetes kemi një afat kushtetues që po afron. Shkuarja në zgjedhje unë besoj që nuk është opsion, e zgjedhja e presidentit është detyrë kushtetuese. Kjo kërkon vullnet për zgjidhje, gatishmëri për kompromis, dhe vendime jo të lehta. Ne e dimë që nuk ka parti që mund të pretendojë se fiton 80 deputetë, andaj duhet të pranohet rezultati i zgjedhjeve, dhe nga ato pozicione të zhvillohen bisedime të sinqerta, me interesin për vendin tonë… Qytetarët votuan për 4 vjet, dhe në përputhje me vullnetin e tyre do ta sjellim për miratim programin qeverisës 2026-2030”, tha Kurti.

Kurti foli edhe për nisjen e transferimit të mjeteve të fondeve nga Plani i Rritjes. Ai tha se këto mjete do të investohen direkt në projekte.

Kurti: Komisioni Evropiani nis transferimin e mjeteve në vlerë 61 milionë euro për Planin e Rritjes

“Pas miratimit dhe ratifikimit në Kuvend, Komisioni Evropiani nis transferimin e mjeteve në vlerë 61 milionë euro për Planin e Rritjes. Në buxhetin e shtetit janë bartur 28 milionë euro në formë kredie, e pjesa tjetër 33 milionë euro do të kalojë me kornizë. Krahas mbështetjes direkte buxhetore, këto mjete do të investohen direkt në projekte. Në hapin e radhës pas përmbushjes së disa reformave, përfitojmë rreth 90 milionë euro, por duhet të miratohen disa ligje që kemi proceduar, e do t’i procedojmë sot”, tha ai.

Tutje Kurti përmendi edhe miratimin në shqyrtimin e parë të Projektligjit për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së pajustifikueshme.

E sipas tij me të merr fund parulla “rroga e vogël, fitimi i madh”.

Kurti: Byroja do të bëhet, me të merr fund parulla “rroga e vogël fitimi i madh”

“Miratimi në shqyrtim të parë i Projektligjit për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë padyshim përbën një lajm shumë të mirë për vendin tonë dhe drejtësinë. Por, që institucioni përkatës të jetësohet e të nis punën është i domosdoshëm miratimi në shqyrtim të dytë, e dimë që emri i Ligjit ka trazuar shumëkënd, prandaj kundërshtimet kanë qenë të mëdha, të mbështjellura si ankesë në Kushtetuese, por ne nuk do të ndalemi. Do ta jetësojmë këtë zotim, Byroja do të bëhet, me të merr fund parulla “rroga e vogël fitimi i madh”. E kemi thënë edhe më herët, pasuria e fituar në mënyrë të paligjshme nuk është as private as legjitime”, tha Kurti.

20.04.2026 – 09:30

Fund parullës “rroga e vogël, fitimi i madh”, Kurti flet për miratimin e Projektligjit për Byronë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përshëndetur miratimin në shqyrtim të parë të Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfisikimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm për drejtësinë dhe sundimin e ligjit në vend.

Kurti theksoi se funksionalizimi i kësaj byroje është i domosdoshëm dhe kërkon miratimin e ligjit edhe në lexim të dytë në Kuvend.

“Miratimi në shqyrtim të parë i projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfisikimin e Pasurisë së Pajustifikueshme,padyshim që përbën lajm të mirë për vendin tonë dhe drejtësinë. Që Byroja të jetësohet dhe të nisë punën, është e domosdoshme që ky ligj të miratohet edhe në lexim të dytë”, deklaroi Kurti.

Ai pranoi se Projektligji ka hasur në kundërshtime të mëdha, përfshirë edhe ankesa në Gjykata Kushtetuese e Kosovës, por nënvizoi se Qeveria nuk do të ndalet në rrugën e saj.

“E dimë që emri i ligjit ka trazuar shumëkënd, prandaj kundërshtimet kanë qenë të mëdha, madje edhe të mbështjella si ankesa në Gjykatën Kushtetuese. Vazhdojnë të jenë ende të mëdha, por ne nuk mund dhe nuk do të ndalemi”, u shpreh ai.

Kryeministri shtoi se themelimi i kësaj byroje do të shënojë fundin e praktikave të paligjshme të pasurimit.

“Do ta jetësojmë këtë zotim, Byroja do të bëhet sepse me të përfundimisht merr fund ajo parolla ‘rroga e vogël, fitimi i madh’. Pasuria e fituar në mënyrë të paligjshme kurrë nuk është as private e as legjitime, sepse ajo kurrë nuk është fituar”, përfundoi Kurti.

Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikim dhe Konfiskim të Pasurisë së Pajustifikueshme është miratuar në parim të premten e kalaur. Për të kanë votuar 81 deputetë, por vërejte për përmbajtjen e tij kanë dhënë deputetët e PDK-së, LDK-së e AAK-së.

20.04.2026 – 08:56

Kurti kundër zgjedhjeve të reja: Zgjedhja e presidentit, detyrim kushtetues

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për çështjen e zgjedhjes së presidentit gjatë mbledhjes së Qeverisë, duke theksuar se vendi po i afrohet një afati kushtetues dhe se nevojitet vullnet politik për zgjidhje.

Kurti u shpreh se zgjedhjet e parakohshme parlamentare nuk janë zgjidhje në këtë fazë.

“Para vetes kemi një afat kushtetues që po afron. Shkuarja në zgjedhje të parakohshme parlamentare unë besoj se nuk është opsion”, tha ai.

Ai theksoi se zgjedhja e presidentit është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e përfaqësuesve të zgjedhur të popullit.

“Zgjedhja e presidentit është detyrë kushtetuese e të zgjedhurve të popullit, kjo kërkon vullnet për zgjidhje, gatishmëri për kompromis dhe vendime jo të lehta,” u shpreh Kurti.

Kryeministri shtoi se asnjë parti nuk ka fuqinë për të siguruar shumicën e cilësuar e vetme, duke bërë thirrje për bashkëpunim politik.

“Ne e dimë që nuk ka parti që mund të pretendojë se i fiton 80 e më shumë deputet, ndaj duhet të pranohet rezultati i zgjedhjeve dhe nga këto pozicione të zhvillohen diskutime të sinqerta e të arsyeshme në interesin më të mirë për vendin tonë”, tha Kurti.

Ai theksoi se institucionet kanë nevojë për stabilitet, veçanërisht në kohën e zhvillimeve gjeopolitike.

“Shteti ka nevojë për stabilitet institucional, veçmas në këtë kohë të trazuar nga zhvillimet dhe tensionet gjeopolitike.”

Kurti paralajmëroi se një cikël i ri zgjedhor nuk do të sillte ndryshime të mëdha, por vetëm vonesa dhe kosto shtesë financiare.

“Një cikël i ri zgjedhor nuk sjell ndryshime të mëdha në rezultat, por mund t’i vonojë punët e mira dhe të krijojë shpenzime të tjera të panevojshme, duke filluar nga së paku 10 milionë euro për KQZ,” deklaroi ai.

Sipas tij, zgjidhja duhet të reflektojë vullnetin e qytetarëve të shprehur në zgjedhjet e fundit dhe të garantojë stabilitet institucional në vend.

20.04.2026 – 07:58

Qeveria mblidhet sot, diskutohen projektligje dhe vendime të rëndësishme

Qeveria e Kosovës do të mbajë sot mbledhjen e radhës duke filluar nga ora 08:00, në ndërtesën e Qeverisë.

Në këtë mbledhje pritet të shqyrtohen dhe miratohen një varg çështjesh të rëndësishme nga fusha të ndryshme.

Sipas rendit të ditës, kabineti qeveritar do të diskutojë mbi projektligje, ndryshime dhe plotësime të rregulloreve ekzistuese, si dhe vendime që lidhen me administratën publike dhe menaxhimin institucional.

Ndër pikat kryesore përfshihet shqyrtimi i projektligjit për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, si dhe propozime për ndarjen e mjeteve financiare për projekte të ndryshme zhvillimore.

Po ashtu, në agjendë janë edhe marrëveshje ndërkombëtare dhe financiare, çështje që lidhen me pronën publike dhe investimet, si dhe tema të sigurisë, përfshirë kontrollin e armëve dhe çështje që ndërlidhen me organizatat e ndaluara.

Të Ngjashme