Lajme

Kurti: Liberalizimi i vizave nuk e ka rritur migrimin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se me rreziqet që po i kanosen Evropës dhe lindjes së mesme brishtësia e paqes kudo në botë është evidente.

Kreu qeveritar gjatë fjalës së tij në konferencën e Federatës së Paqes Universale, ku po diskutohet për “Paqen, stabiliteti dhe tranzicioni demografik në Ballkanin Perëndimor”, tha se Kosova ka njohur përparim dhe progres gjatë qeverisjes së tij, duke konsideruar se është lider në rajon sa i përket edhe demokracisë.

“Paqja në rajonin tonë dhe sidomos në Kosovë është diçka që nuk e kemi marrë kurrë si të mirëqenë. Është dashur të luftohet dhe përpiqemi vazhdimisht për të. Me rreziqet qe po i kanoset Evropës dhe lindjes së mesme brishtësia e paqes kudo në botë është evidente. Paqja kryesisht destabilizohet nga jashtë por është edhe një punë që realizohet nga brenda. Këtu nuk e vë më dyshim vullnetin e një populli për të ndërtuar dhe forcuar paqen”, tha ai.

Ai përmendi rritjen ekonomike, po ashtu rritjen e eksporteve dhe rritjen e punësimit.

“Kosova ka njohur përparim dhe progres si kurrë më parë në këto tri vitet e fundit, rritja mesatare ekonomike është në nivelin 6.2 për qind. Ekonomia e vendit e përkatësisht Bruto Produktit Vendor sot që po flasim është gjashtë fish më i madh se sa në vitin 2000. Nuk po e marrim parasysh vitin ‘99 e të luftës të kthimit të refugjatëve në shtëpitë e tyre dhe tri herë më i madh se sa në vitin 2008 kur e shpallëm Pavarësinë. Eksportet e investimet e huaja janë dyfishuar dhe raporti eksport import krahasuar me vitin 2021 është përmirësuar në më mirë se 1 me 6 nga 1 me 9 sa ishte aso kohe. Kemi një rritje të punësimit prej mbi 21 për qind”, theksoi Kurti, raporton kp.