Lajme

Kurti: Masakra e Gjakovës dëshmon se dhuna e Serbisë në Kosovë nuk harrohet

Kryeministri Albin Kurti ka kujtuar në një postim në Facebook ngjarjet tragjike të natës mes 1 dhe 2 prillit të vitit 1999, kur dhjetëra civilë shqiptarë u masakruan në Gjakovë nga forcat e armatosura serbe.

“Atë ditë, Diona Caka do të mbushte vetëm 2 vjeç. Rina Haxhiavdija do të festonte ditëlindjen e saj të katërt. Por ata nuk arritën të rriteshin. Në natën e errët mes 1 dhe 2 prillit 1999, ato u vranë dhe u dogjën mizorisht bashkë me nënat dhe motrat e vëllezërit e tyre,” shkruan Kurti.

Në shtëpinë e familjes Vejsa, forcat serbe vranë Tringa Hoxha Vejsa bashkë me pesë fëmijët e saj: Dorinën, Marigonën, Sihanën, Arlindin dhe Ritën. U vranë gjithashtu Valbona Byci Caka me tri vajzat e saj Dionën, Delvinën dhe Dalinën, dhe Valbona Vejsa Haxhiavdija bashkë me tre fëmijët e saj: Doruntinën, Egzonin dhe Rinën.

Gjithsej, mbi 21 civilë shqiptarë u vranë në atë shtëpi, ndërsa pas vrasjes trupat e tyre iu vunë zjarri për të fshehur gjurmët e krimit. I plagosur, i vogli Dren Caka, 9 vjeç, arriti të shpëtojë duke dalë nga dritarja përmes tymit dhe flakëve. Ai është dëshmitar i mbijetuar dhe ka dëshmuar në Tribunalin e Hagës në gjykimin kundër Sllobodan Millosheviq.

Postim i plotë:

Atë ditë, Diona Caka do të mbushte vetëm 2 vjet. Rina Haxhiavdija do të festonte ditëlindjen e saj të katërt. Por në natën mes 1 dhe 2 prillit të vitit 1999, ato u vranë dhe u dogjën mizorisht bashkë me nënat, vëllezërit e motrat e tyre.

Në shtëpinë e familjes Vejsa në Gjakovë, forcat e armatosura të Serbisë vranë nënën Tringa Hoxha Vejsa, bashkë me pesë fëmijët e saj: Dorinën, Marigonën, Sihanën, Arlindin dhe Ritën. Vranë Valbona Byci Caka, me tri vajzat e saj Dionën, Delvinën dhe Dalinën. Vranë Valbona Vejsa Haxhiavdija, bashkë me tre fëmijët e saj: Doruntinën, Egzonin dhe Rinën.

Pjesëtarët e forcave të armatosura të Serbisë hapën zjarr me armë automatike mbi 21 civilë shqiptarë, që ishin strehuar në atë shtëpi. Pas vrasjes, trupave të tyre iu vu zjarri, duke tentuar të fshihen gjurmët e krimit. I plagosur, Dren Caka, nëpër tym e flakë arriti të dalë nga dritarja dhe të shpëtojë. Në fotografinë nga Eddie Mulholland shihet Dreni, 9 vjeçar, i vetmi i mbijetuar i kësaj masakre. Ai ka dëshmuar në tribunalin në Hagë, në gjykimin kundër Sllobodan Millosheviq.

Atë natë, në Gjakovë, forcat serbe vranë edhe dhjetëra civilë të tjerë shqiptarë, përfshirë anëtarë të familjeve Vejsa, Hoxha, Haxhiavdija, Caka, Gashi, Nuçi, Cana, Gërqari, Guci, Demjaha, Deda, Lleshi, Dylatahu, Tetrica, Bardoniqi, Haxhija, Çarkaxhija, Pozhegu, Kavaja, Spahiu, Haraqija, Dinaj, Aliu, Gllogjani, Thaqi dhe Muhaxheri.

Kjo masakër mbetet një nga dëshmitë më të rënda të dhunës sistematike dhe gjenocidit të Serbisë ndaj popullsisë civile shqiptare në Kosovë, dhe një thirrje e vazhdueshme për drejtësi dhe kujtesë.

Të Ngjashme