Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë ka dhënë detaje nga takimi i tij me presidentin francez, Emmanuel Macron, të premten pasdite në Pallatin Elysee.
“Të premten isha musafir i presidentit të Francës, Emmanuel Macron, në një takim, drekë pune. Pritja e përzemërt u përcoll me një diskutim të thellë dhe të sinqertë për rreth dy orë, që u përqendrua në temat e bashkëpunimit, integrimit, sigurisë, mbrojtjes dhe ekonomisë e zhvillimit”, tha Kurti.
Ai shtoi se gjatë takimit u bisedua për rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në BE dhe organizata të tjera ndërkombëtare, si dhe për rolin e rëndësishëm të NATO-s në Kosovë për bashkëpunimin me aleatët veriatlantikë dhe sigurinë rajonale në Ballkan.
“Po ashtu, forcimi i kapaciteteve mbrojtëse dhe raportet me fqinjët veriorë të Kosovës ishin çështje që i diskutova me presidentin francez”, përfundoi Kurti.
Kosova është vendi i vetëm në rajon që nuk ka statusin e vendit kandidat, pavarësisht se shteti ka aplikuar për anëtarësim në BE më 2022, por aplikimi ende nuk është shqyrtuar nga institucionet evropiane.
Normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, mbetet kusht i BE-së për të dyja vendet në rrugën e tyre evropiane.
