Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, nënkryetari Ardian Gola dhe përfaqësues të tjerë shtetërorë, bëri sot homazhe në Qirez dhe Likoshan për të nderuar martirët dhe dëshmorët në 28-vjetorin e masakrës së parë të luftës së fundit në Kosovë.
Kurti pasi vendosi kurora me lule, tha se në këtë dy fshatra, pikërisht 28 vjet më parë janë vrarë 20 martirë.
Kurti: Kjo ishte masakra e parë e luftës së fundit
“Kjo ishte masakra e parë e luftës së fundit, e cila asokohe ndodhi midis dy sulmeve ndaj familjes Jashari në Prekaz. Sulmit të parë me, më falni, sulmit të dytë me 22 janar dhe sulmit të tretë me 5 mars. Në mes të këtyre ishte masakra e Qirezit dhe Likoshanit me datën 28 shkurt, kur u vranë 26 martirë. Në mesin e tyre ishte edhe gruaja shtatzënë në muajin e shtatë, Rukije Nebihu, 27 vjeçare, e cila në prehër e kishte vajzën tre vjeç që e takuam sot këtu. Por u vranë shumë të familjes Ahmeti, Sejdiu, pastaj Behrami, Fazliu, Rama, dhe katër dëshmorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të familjeve Rexhepi dhe Gjeli, në një përballje të pabarabartë me forcat e Serbisë, të cilët për 28 orë kanë goditur, kanë shtënë me artileri të rëndë, kanë pasur autoblinda dhe helikopter. Por pikërisht në kohën e kësaj masakre, me 28 shkurt të vitit 1998, kur për 28 orë rresht, artileria dhe forcat e armike të Serbisë sulmuan popullsinë këtu, u bë një ndërgjegjësim i madh i popullit jo vetëm në Kosovë, por anë e mbanë trojeve që shqiptarët i popullojnë në Ballkan, edhe të mërgatës sonë, e që filloi edhe një vetëdijësim gjithnjë më i madh edhe i këtyre kancelarive diplomatike botërore, po njëkohësisht edhe i opinionit publik ndërkombëtar”, tha ai.
Kurti nënvizoi se çmimi i lartë i lirisë e obligon qeverinë për zhvillim ekonomik dhe, mbi të gjitha, për forcimin e Ushtrisë dhe Forcave të Sigurisë së Kosovës.
Kurti: Ta forcojmë ushtrinë në mënyrë që askush të mos guxojë të na vrasë
“Sot vendosëm lule të freskëta, por ja kujtojmë, ja përkujtojmë vetes se sa i lartë ka qenë çmimi i lirisë që e gëzojmë dhe i shtetit që i kemi, dhe se kemi obligim që gjithnjë më shumë ta rrisim ekonominë, t’ju ndihmojmë pleqve, grave, fëmijëve para së gjithash, por edhe ndërmarrësve që të kemi sa më shumë zhvillim, e para së gjithash, mbi të gjitha, ta forcojmë ushtrinë e Republikës së Kosovës, Forcat e Sigurisë së Kosovës, në mënyrë që askush asnjëherë të mos guxojë më të na mësyjë e të na vrasë sikurse në të kaluarën. Gjaku i tyre është tek rrënjët e lirisë, tek themelet e shtetit, dhe natyrisht është kujtesë e përjetshme historike se si duhet ta mbrojmë dhe duam Republikën tonë dhe popullin tonë”, tha ai.
Ndërkaq, sot bëhen 28 vjet nga fillimi i luftës në Kosovë, e cila nisi në fshatrat e Drenicës, Likoshan dhe Qirez, ku te vendi i quajtur “Te tre lisat” u zhvilluan luftimet mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe.
Në luftimet e zhvilluara mbetën të vrarë disa policë serbë. Si pasojë e kësaj, forcat e armikut rrethuan të dy fshatrat ku ekzekutuan 24 civilë të pafajshëm.
