
Kurti, bashkëpartiakëve: Mbështetjen masive që po e gëzon Qeveria do të tentojnë ta minimizojnë me fushata shpifëse
Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes iu drejtua bashkëpartiakëve që të jenë “të vëmendshëm” se do të ketë fushata shpifëse për ta minimizuar “mbështetjen masive” që po gëzon Qeveria e tij.
“Ne duhet të jemi po ashtu të vëmendshëm që këtë mbështetje masive që po e gëzon Qeveria e Kosovës nga qytetarët – dhe do të thotë pashmangshëm edhe Lëvizja Vetëvendosje si drejtuese e saj – do të tentojnë sikurse janë duke tentuar që ta zbehin e minimizojnë përmes formave nga më të ndryshmet e më së shumti e më së shpeshti përmes fushatave të shpifjeve dhe të pavërtetave dhe të nxitjeve dashakeqe”.
Megjithatë, thotë Kurti, qytetarët “po i besojnë drejt situatave”.
“Pavarësisht këtyre përpjekjeve për të shtrembëruar të vërtetat dhe për ta zbehur punën e Qeverisë, të cilat janë të shumta në numër e të gjera për nga ndikimi në popull, qytetarët megjithëkëto po i besojnë drejt situatave sepse populli po i përjeton në përditshmëri ndryshimet e gjithëmbarshme, pozitive e progresiste që po shënon Republika jonë. Këtyre tendencave e përpjekjeve për manipulim ne i kundërpërgjigjemi më së miri me punë e me angazhim dhe i ballafaqojmë më së miri me mobilizim dhe aktivizim”, tha Kurti.
Kurti: Kemi përkrahje sikurse në pranverën e 2021-ës, por më 9 shkurt të gjitha partitë fillojnë nga zero
Kryetari i LVV-së dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalën hyrëse të tij në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë së tij ka folur edhe për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Kurti ka thënë se LVV-ja gëzon përkrahje të madhe qytetare dhe se do të synojë të arrijë edhe gjysmë milioni vota në zgjedhjet e 9 shkurtit. Megjithatë Kurti ka thënë se duhet pasur parasysh se në zgjedhjet e reja të gjitha partitë fillojnë nga pika zero dhe se duhet punuar për të arritur numrin e votave që VV kishte marrë në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 e ndoshta edhe më shumë.
Kurti ka thënë se në zgjedhje do të shkojnë bashkë me GUXO dhe Alternativa dhe se synimi është të fitohet një shumicë e qëndrueshme.
“Në zgjedhjet e ardhshme fillojmë nga vija zero. Të gjithë duhet të punojmë t’i mbledhim rreth gjysmë milioni vota. Të mos llogarisim se i kemi ato vota të 14 shkurtit 2021. Të gjithë partitë fillojnë nga zero”, ka deklaruar Kurti.
Kurti për koalicionin Guxo dhe Alternativën: Do të jemi bashkë, siç kemi qenë në fushatë e në fitore
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje njëherësh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Këshillin e Përgjithshëm të VV-së shprehur mirënjohjen e tij për presidenten Osmani, Konjufcën, Gërvallën e Kusari-Lilën.
Ai foli edhe për koalicionin me Guxo dhe Alternativën, duke thënë se janë bashkë, siç kanë qenë në fushatë dhe siç tha ai, në fitore e në qeverisje.
“Në veçanti dua të shpreh mirënjohjen time sot për këto vite bashkëpunimi me presidentes e Republikës, Vjosa Osmani-Sadriu, kryetarin e Kuvendit të Republikës, Glauk Konjufca, me partinë Guxo dhe Alternativën, për Donika Gërvallën dhe Mimoza Kusarin, duke thënë që ne mbështetemi te njëri-tjetri, sepse populli mbështetet në ne, e ne tek ai” .
“Me Guxo dhe Alternativën do të jemi bashkë në koalicion, ashtu siç kemi qenë bashkë në fushatë, bashkë në fitore, bashkë në qeverisje, së bashku sërish në një listë për zgjedhjet e ardhshme, e para qytetarëve jemi, sepse mbetemi ballëhapur e të gëzuar si askush tjetër para nesh, e nuk po mund të them pas nesh, sepse do të fitojmë sërish”, u shpreh tutje Kurti.
Kurti: Kosova sot është shumë më mirë sesa qe e gjetëm në pranverës e vitit 2021
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje njëherësh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Këshillin e Përgjithshëm të VV-së, tha se Kosova sot është shumë më mirë sesa qe e gjetëm në pranverës e vitit 2021.
Ai u shpreh se vendi ynë është në rrugë të mbarë për zhvillim të gjithanshëm dhe siç tha ai, për përparim të vazhdueshëm.
“Kosova sot është shumë më mirë sesa qe e gjetëm në pranverës e vitit 2021 dhe njëkohësisht është në rrugë të mbarë për zhvillim të gjithanshëm e për përparim të vazhdueshëm”.
“Jemi zotuar për punësim dhe drejtësi, këtë e bëm dhe po e bëjmë për çdo ditë me krejt çfarë dijmë e mundemi”, u shpreh Kurti.
Ai gjithashtu tha se kjo vjeshtë gjen Kosovë me 425 mijë të punësuar, ndërkaq siç tha ai, kur filluan të qeverisinin, Kosova kishte 350 mijë të punësuar.
Secili e secila, të gjithë së bashku, kjo vjeshtë andaj e gjen Kosovë me 425 mijë të punësuar, ndërkaq kur filluam të qeverisimin, Kosova kishte 350 mijë të punësuar”.
“Këta 75 mijë të punësuar më shumë për 3 vjet e gjysmë, nuk do të arriheshin, pa u rritur ekonomia dhe pa shpërndarjen që kemi bërë në fushat e ndryshme, por gjithnjë me qëllimin e njëjtë, t’i përkrahim njerëzit për jetesë sa më të mirë, për të drejtat e tyre, për mirëqenien e tyre”, u shpreh tutje Kurti.