Kryeministri Albin Kurti, me rastin e festës së Pashkës, ka vizituar në Prishtinë ish profesorin e gjuhës shqipe, 97-vjeçarin Pashk Staka, me të cilin ka zhvilluar një bisedë mbi jetën, kontributin dhe çështje të ndryshme historike e aktuale.
“Sot, me rastin e festës së Pashkës, pata kënaqësinë të vizitoj bacën Pashk Staka, ish profesor i gjuhës shqipe, 97 vjeçar, i cili na priti me shumë dashamirësi në banesën e tij në Prishtinë, së bashku me bashkëshorten e tij Anjeza Gjoni-Staka, 89 vjeçare, vajzat Gloria dhe Mika, nipin Engjëllin dhe mbesën Sarën, mua dhe Rozeta Hajdarin”, ka shkruar Kurti.
Ai ka bërë të ditur se gjatë bisedës kanë mësuar për jetën dhe kontributin e Anjeza Gjoni-Stakës, e cila kishte qenë këngëtare në Shoqërinë Kulturore-Artistike “Agimi” në Prizren dhe më pas mësuese në Shkollën Fillore “Emin Duraku” në Prishtinë.
Kurti ka shtuar se e kanë falënderuar Pashk Stakën për mikpritjen dhe bisedën e këndshme, e cila ka përfshirë tema nga historiku i NDSh-së dhe familjes Staka deri te zhvillimet aktuale politike dhe shoqërore.
“I urojmë shëndet të mirë dhe jetë të gjatë!”, ka shkruar kryeministri në Facebook.
