Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar 27-vjetorin e ngjarjeve të 12 prillit 1999 në Lubizhdë të Hasit, ku gjatë luftës në Kosovë u vranë civilë dhe pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kurti në Facebook ka shkruar se në atë ditë forca të Batalionit të Dytë të Motorizuar 549 të ushtrisë jugosllave kishin rrethuar zonën malore ku ishin strehuar banorët e fshatit Lubizhdë e Hasit.
Ai tha se pasi burrat u ndanë nga gratë dhe fëmijët, ata u torturuan dhe më pas u rreshtuan për t’u ekzekutuar. Sipas Kurtit, të mbijetuarit kanë dëshmuar më vonë për, siç e quajti ai, barbarinë e kryer ndaj civilëve shqiptarë, e cila përfshinte ekzekutime, tortura, plaçkitje, dhunime, dëbime dhe shkatërrim të pronës.
Kurti ka theksuar se gjatë atyre ditëve të mesit të prillit 1999, si pasojë e fushatave të dhunshme të spastrimit etnik, u vranë 40 civilë shqiptarë të paarmatosur. Ai shtoi se në përballje me forcat serbe, 14 pjesëtarë të UÇK-së ranë dëshmorë.
Në fund, Kurti ka thënë se jetët e humbura përbëjnë vlera të larta në themelet e lirisë dhe shtetndërtimit të Kosovës, duke përmbyllur mesazhin me “Lavdi dëshmorëve dhe martirëve të rënë për lirinë e atdheut”.
