Lajme

Kurti: Po përkrahim edukimin për të gjitha vajzat

Për avancimin e rolit të gruas në shoqëri është diskutuar të martën në Prishtinë, në një organizim për zgjerimin e programit të Fondacionit Jahjaga në fushën e Grave, Paqes dhe Sigurisë. Sipas fondacionit, kjo nismë ndërtohet mbi angazhimin e gjatë të Fondacionit Jahjaga “për të përparuar agjendën e grave, paqes dhe sigurisë duke nxitur mobilizim në nivel komuniteti”.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti tha se paqja nuk mund të arrihet pa gjithëpërfshirje.

“Paqja nuk mund të arrihet pa gjithëpërfshirës, ne e njohim rëndësinë e pjesëmarrjes dhe përfaqësimit të grave që ato të dëgjohen e që pikëpamjet e tyre të respektohen. Diversiteti që kemi në Kosovë është pasuri e potencial i përbashkët për shtetin tonë me mundësi të barabarta për secilin e secilën, një shoqëri që vlerëson çdo zë, çdo kontribut dhe çdo ëndërr të të gjithë qytetarëve”, tha Kurti.

Ai shtoi se qeveria e tij po punon për edukimin e vajzave. Këtu, Kurti përmendi konkursin për bursa për nxënësit nga komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian, për shkollat e mesme, për të cilin tha se është ende i hapur.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që gratë dhe vajzat nga çdo komunitet të kenë të njëjtat mundësi dhe mbështetje, për këtë po përkrahim edukimin e punësimin për të gjitha vajzat duke filluar sidomos nga shkolla e mesme”, tha Kurti.

Xavier Bettel, ministër i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme theksoi rëndësinë e luftimit të diskriminimit.

“E dimë sa e vështirë është të ndërtosh raporte të vazhdueshme në nivel rural, rreziku më i madh është që Kosova të ndërtojë dhe ne do të punojmë në këtë drejtim, të ndërtojmë marrëdhënie edhe me shtete të tjera. Ju keni ardhur sot këtu, mos u bëni feminist ose mos luftoni kundër diskriminimit thjeshtë vetëm ditën kur përmendet ai, diskriminimi nuk fillon vetëm në konferencë, nganjëherë fillon në shtëpi, brenda familjes…”, tha ai.

E kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha se kryeqyteti është i përkushtuar të bashkëpunojë me të gjitha institucionet në mënyrë që të avancohet roli i gruas.

“Si kryeqytet jemi të përkushtuar të bashkëpunojmë me të gjitha institucionet relevante, organizata e shoqërisë civile dhe sektorit privat për të avancuar këtë agjendë. Prandaj e vlerësoj shumë përkushtimi ne fondacionit Jahjaga për të nxitur këtë bashkëpunim dhe për të fuqizuar gratë që janë një forcë kyqe në ndërtimin e paqes dhe sigurisë”, tha ai.

Nikoqirja e kësaj ngjarjeje, ish-presidentja Atifete Jahjaga tha se avancimi i pozitës së gruas në shoqërinë kosovare është i domosdoshëm.

“Ishte prezantimi i planit tre vjeçar të institutit për gratë paqen dhe sigurinë por edhe prezantimi i punës tanimë shtatë vjeçare të fondacionit Jahjaga, që është në kuadër të tri shtyllave kryesore të fondacionit që ka të bëjë me gratë, rininë por në përgjithësi edhe me gjithpërfshirjen sociale, avancimi ne rolit të gruas në shoqërinë e Kosovës, dhe për tema të tjera që janë të domosdoshme për avancimin e pozitës së gruas në shoqërinë republikës së Kosovës”, tha ajo./kp