Në 25 vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës krerët e shtetit nderuan jetën e policëve të rënë në krye të detyrës dhe vlerësuan lartë përkushtimin dhe angazhimin e pjesëtarëve të këtij institucioni në mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se Policia e Kosovës gjatë këtij çerekshekulli vazhdon të jetë një nga institucionet më të besuara dhe respektuara të vendit tonë, duke ndikuar në ndërtimin e një shoqërie ku mbizotëron rendi dhe ligji.
Osmani potencoi se kontributi i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës është kyç për mbrojtjen e integritetit dhe sovranitetit të shtetit tonë.
Derisa vlerësoi lartë sakrificën e pjesëtarëve të rënë në krye të detyrës, e para e vendit theksoi se PK-ja duhet të vazhdojë të zhvillojë kapacitetet dhe aftësitë saj në hapa të sigurt, në mënyrë që të jetë e gatshme për t’iu përgjigjur kërcënimeve të reja.
Osmani: Në kohë krizash dhe sfidash duhet të qëndroni të patundur
“Policia e Kosovës gjatë këtij çerekshekulli të punës së saj, vazhdon të jetë një nga institucionet më të besuara dhe me të respektuara të vendit tonë…Puna juaj ka qenë e rëndësishme në ndërtimin e një shoqërie ku mbizotëron rendi dhe ligji dhe ku tw drejtat dhe liritë e secilit qytetar mbrohen. Nuk mund tw flasim për Policinë e Kosovës pa nderuar heronjtë që dhanë jetën në krye të detyrës. Në mesin e 23 policëve të rënë në detyrë, i fundit është heroi i Kosovës, Afrim Bunjaku. Trimëria dhe sakrifica e të cilit vazhdojnë të na frymëzojnë të gjithëve gjersa mbrojnë sovranitetin e vendit tonë…Kontributi juaj për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës është kyç. Në kohë krizash dhe sfidash duhet të qëndroni të patundur, duke demonstruar qëndrueshmëri, profesionalizëm dhe përkushtim të palëkundur për sigurinë e shtetit tonë…Policia e Kosovës duhet të vazhdojë të zhvillohet, të përmirësojë çdo ditë me hapa të shpejtë dhe të sigurtë aftësitë e saj dhe të jetë e gatshme për t’iu përgjigjur edhe këtyre kërcënimeve të reja në një mjedis gjithnjë e me kompleks”, tha Osmani.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se duke reflektuar mbi betimin e dhënë, policët tanë kanë dëshmuar që nuk kursejnë as jetën e tyre për mbrojtjen e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë së shtetit tonë.
Kurti potencoi se veprimet e policisë sonë në sulmet e një pas njëshme në tri vitet e fundit nga grupet kriminale të dirigjuara nga Serbia, kanë dëshmuar se me profesionalizëm dhe guxim arrihen rezultate në misionin e sundimit të ligjit, mbrojtjes së jetës së qytetarëve e të sovranitetit shtetëror e integritet territorial
Kurti: Jam krenar dhe mirënjohës për arritjet e policisë sonë
“Duke reflektuar mbi betimin e dhënë, policët tanë kanë dëshmuar që nuk kursejnë as jetën e tyre për mbrojtjen e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë së republikës sonë. Historia e çerekshekullit të Policisë së Kosovës mbanë në anën e tij të ndritur 23 heronjtë që dhanë jetën në uniformën policore. Nga Lazim Rexhepi, deri tek më i riu dhe i freskëti, Afrim Bunjaku janë dëshmia më e qartë e shërbimit me nder dhe vetëmohim për qytetarët dhe republikën…Jam krenar dhe mirënjohës për arritjet e policisë sonë. Shërbimi me integritet dhe reagimi me profesionalizëm i bazuar në ligjet tona janë drejtimet mbi të cilat duhet të fuqizohet edhe mw tej Policia e Kosovës…Veprimet e policisë sonë në sulmet e një pas njëshme në tri vitet e fundit nga grupet kriminale të dirigjuara nga Serbia e veçanërisht në sulmin terrorist të 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit, kanë dëshmuar se me profesionalizëm dhe guxim arrihen rezultate në misionin e sundimit të ligjit, mbrojtjes së jetës së qytetarëve tanë e të sovranitetit shtetëror e integritet territorial”, potencoi Kurti.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla vlerësoi se themelimi i Shërbimit Policor të Kosovës ishte domosdoshmëri e kohës dhe vendit.
Sveçla potencoi se bashkëpunimi i ngushtë dhe shkëmbimi i përvojave me pjesëtarët e misioneve ndërkombëtare si edhe përkushtimi i vazhdueshëm i policëve kanë bërë që sot Policia e Kosovës të jetë institucioni më i besueshëm për qytetarët tanë.
Sveçla: Policia e Kosovës e ngritur profesionalisht, e gatshme për t’iu përgjigjur çdo rreziku
“25 vite më parë pas sakrificash të gjata e të mundimshme të popullit tonë për liri erdhi dita që të themelohet edhe shërbimi policor i Kosovës, e cila ishte domosdoshmëri e kohës dhe e vendit. Ashtu siç falë forcave tona e mbështetjes së aleatëve tanë të përhershëm, populli ynë i vuajtur e përjetoi lirinë, aty janë edhe themelet e Policisë së Kosovës…Bashkëpunimi i ngushtë dhe shkëmbimi i përvojave me pjesëtarët e misioneve ndërkombëtare që ndihmuan në fillet e para të policisë sonë, ashtu si edhe përkushtimi i vazhdueshëm i policëve tanë kanë bërë që sot Policia e Kosovës të jetë institucioni më i besueshëm për qytetarët tanë, e ngritur profesionalisht, e trajnuar mirë dhe e gatshme për t’iu përgjigjur çdo rreziku që cenon sigurinë e vendit tonë“, tha Sveçla.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha u shpreh se përgjatë këtyre 25 viteve është dëshmuar se ky institucion është ndërtuar mbi themele të forta për të mbrojtur shtetin e Kosovës dhe qytetarët e saj.
Ai tha se Policia e Kosovës vazhdon të jetë gardiane e rendit, ligjit dhe të drejtave të qytetarëve, duke kontribuar në stabilitetin dhe sigurinë e vendit tonë.
Hoxha potencoi se PK-ja ka arritur një nivel të lartë të profesionalizmit dhe bashkëpunimit me institucionet vendore dhe ndërkombëtare.
Hoxha: Policia e Kosovës ka dëshmuar se është një institucion i ndërtuar mbi themele të forta
“Në këto 25 vite Policia e Kosovës ka dëshmuar se është një institucion i ndërtuar mbi themele të forta, me një mision fisnik, të mbrojë dhe të shërbejë. Që nga ditët e para të themelimit, ajo ka qenë dhe vazhdon të jetë gardiane e rendit, ligjit dhe të drejtave të qytetarëve, duke kontribuar në stabilitetin dhe sigurinë e vendit tonë. Për 25 vite, Policia e Kosovës ka qenë shtylla kryesore e mbrojtjes së qytetarëve, duke u përballuar me sfida të panumërta, por duke triumfuar mbi to…Policia e Kosovës ka rritur një nivel të lartë të profesionalizimit dhe bashkëpunimit me institucionet vendore dhe ndërkombëtare”, theksoi Hoxha.
Në këtë ceremoni qendrore u intonua për herë të parë himni i Policisë së Kosovës në 25-vjetorin e themelimit të saj.
Më 6 shtator të vitit 1999, misioni i OSBE-së në Kosovë, në pajtim me Rezolutën e Kombeve të Bashkuara 1244, hapi shkollën e policisë dhe filloi trajnimin e kandidatëve për pjesëtarë të Policisë së Kosovës.