Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se në kuadër të zhvillimit të potencialit në fushën e teknologjisë së informacionit do të ndërtohet një “ICT Tower” në qendër të Prishtinës.
Deklaratën ai e ka bërë pas një bashkëbisedimi me studentët e Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, ku ka thënë se sektori i TIK-ut tashmë përbën rreth 6% të Bruto Produktit Vendor dhe është një nga fushat me më shumë perspektivë.
Kurti i ka inkurajuar studentët të nisin rrugëtimin e tyre me startup-e, duke theksuar se Qeveria do t’i mbështesë në këtë drejtim.
Ai gjithashtu ka premtuar vazhdimin e mbështetjes me bursa për studentët, nga të cilat, sipas tij, kanë përfituar dhjetëra mijëra të rinj gjatë qeverisjes së tij.
