Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se ka pritur në Zyrën e Kryeministrit një grup prej rreth 25 studentësh nga mërgata, të angazhuar në rrjete të ndryshme akademike dhe profesionale në Gjermani dhe Zvicër.
Në një postim në Facebook, Kurti ka thënë se në mesin e të pranishmëve ishin përfaqësues të organizatave AYO – Albanian Youth Organization e.V., DORA e.V., VaS – Vereinigung albanischer Studierender NRW e.V. nga Gjermania, si dhe të Shoqatës Studenti nga Zvicra.
Sipas Kurtit, gjatë takimit është diskutuar për zhvillimet politike në Kosovë, rolin e të rinjve të mërgatës dhe mundësitë për një bashkëpunim më të strukturuar ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe të rinjve që jetojnë jashtë vendit.
Ai ka vlerësuar se përvojat e studentëve në fushën akademike dhe angazhimet e tyre shoqërore në vendet ku jetojnë përbëjnë një potencial të rëndësishëm për zhvillimin e Kosovës.
“Disa nga detyrat tona janë të krijojmë kushtet dhe mundësitë që ata të kontribuojnë e të bashkëpunojnë për ta ndërtuar të ardhmen e tyre në Kosovë”, ka shkruar Kurti.
Ai ka theksuar se institucionet duhet të krijojnë hapësirë që të rinjtë nga mërgata të sjellin përvojat dhe idetë e tyre në shërbim të vendit.
