Kryeministri Albin Kurti ka uruar formimin e Qeverisë Kurti 4, duke theksuar se vizioni i saj është puna për qytetarin dhe mbrojtja e familjes.
Ai ka deklaruar se qeveria e tij synon të rikthejë fuqishëm sigurinë, mirëqenien, investimet dhe prodhimtarinë në përditshmërinë e qytetarëve.
Kurti ka theksuar se rishpërndarja sociale nuk është barrë për zhvillimin ekonomik, por sipas tij, “karburanti i saj”.
Ai ka thënë se përmes shpërndarjes së rritjes ekonomike është synuar zvogëlimi i varfërisë dhe pabarazisë, si dhe rritja e kërkesës dhe qarkullimit të bizneseve.
“Këto pesë vitet e fundit, nga të cilat pothuajse një vit e gjysmë ishim Qeveri në detyrë, kemi zhvilluar një Kosovë më të drejtë, më të fortë dhe më gjithëpërfshirëse”, ka deklaruar Kurti.
Postimi i plotë:
Urime Qeveria KURTI 4!
Urime Qeveria e udhëhequr nga Kryeministri Albin Kurti, që për vizion ka punën për qytetarin dhe mbrojtjen e familjes.
“Qeveria jonë është shërbim për publikun e jo privilegj për pakicën. Ky mandat është për të kthyer fuqishëm sigurinë dhe mirëqenien në përditshmërinë e qytetarit, investimet dhe prodhimtarinë në zakonin e ndërmarrësisë. Rishpërndarja sociale në bindjen tonë të fuqishme sikurse në edhe në programin dhe projektet tona nuk është barrë për zhvillimin ekonomik por është karburanti i saj. Duke e shpërndarë rritjen ekonomike e kemi zvogëluar varfërinë dhe pabarazinë dhe e kemi rritur kërkesën agregate në ekonomi e cila më tej e ka sjellur shtimin e qarkullimit të bizneseve dhe rritjen e mëtejme të pasurisë. Ne nuk subvencionojmë pasurinë, por punën që e krijon atë. Jo rezultatet e veçanta private por mënyrën universale publike. Këto pesë vitet e fundit, nga të cilat pothuajse një vit e gjysmë ishim Qeveri në detyrë, kemi zhvilluar një Kosovë më të drejtë, më të fortë dhe më gjithëpërfshirëse.” – Kryeministri Kurti.

