Lajme

Kurti: Refuzimi i ofertave nga opozita i pakuptimtë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka komentuar deklaratat e partive opozitare lidhur me çështjen e presidentit, duke theksuar se rezultati zgjedhor duhet të respektohet nga të gjitha palët.

Duke folur për qëndrimet e Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, të cilat kanë deklaruar se kjo çështje është e mbyllur për ta, Kurti tha se realiteti politik i dalë nga zgjedhjet nuk mund të anashkalohet.

“PDK-ja duhet ta kuptojë që i ka 22 deputetë dhe duhet ta mirëkuptojë edhe pozitën time të vështirë. Në vitin 2026 duhet të sillemi në përputhje me këtë rezultat”, ka deklaruar Kurti.

Ai bëri të ditur se ka ofruar disa opsione për bashkëpunim institucional, duke përfshirë edhe një “rrokadë” të pozitave.

“I kam ofruar kryetarit Bedri Hamza që të bëhet një rrokadë mes Albulena Haxhiu dhe Vlora Çitaku. Pra, PDK-ja mund ta bëjë Bedri Hamzën kryetar të Kuvendit, ndërsa Albulena Haxhiu të marrë vendin e Vlora Çitakut”, tha ai.

Kurti shtoi se, përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje kanë marrë më shumë vota se disa nga liderët e partive opozitare, duke kërkuar që kjo të reflektohet në ndarjen e përgjegjësive institucionale.

Në raport me LDK-në, ai tha se ka ofruar mundësi të gjera për përfshirje në qeveri.

“Kryetari i LDK-së mund të bëhet zëvendëskryeministër, por edhe ministër i Jashtëm, si dhe të marrë tri ministri të tjera. Madje, mund të bëjmë edhe rrokadë që Lumir Abdixhiku ose dikush tjetër nga LDK-ja të bëhet kryetar i Kuvendit. Oferta jonë është shumë gjeneroze”, ka deklaruar Kurti.

Megjithatë, ai ka shprehur habi për refuzimin e këtyre propozimeve nga opozita.

“S’është e mundshme që i refuzuan. Na kanë thënë se nuk mund të bashkëqeverisin me tri pozita, ndërsa ne u kemi thënë se do t’i kemi dy”, ka thënë pos tjerash Kurti./RTK/

Të Ngjashme