Lajme

Kurti: Sakrifica e Zahir Pajazitit i dha hov luftës çlirimtare

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar komandantin Zahir Pajaziti, si dhe bashkëluftëtarët e tij Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën, duke vënë në pah rolin dhe sakrificën e tyre në luftën për lirinë e Kosovës.

Kurti ka theksuar se Pajaziti ishte një veprimtar i palodhshëm dhe luftëtar i paepur, i njohur për organizimin dhe realizimin e aksioneve të suksesshme guerile.

Ai ka rikujtuar se në janar të vitit 1997, Pajaziti, së bashku me Zejnullahun dhe Hoxhën, u vranë nga forcat serbe përmes një prite, pasi sipas tij, eliminimi i tyre nuk ishte i mundur ndryshe për shkak të guximit dhe ndikimit që kishin.

Sipas Kurtit, rënia e tyre pati ndikim të madh në rritjen e vetëdijes dhe vetëbesimit popullor, si dhe në zgjerimin e radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai shtoi se historia e re e Kosovës nuk mund të kuptohet pa UÇK-në, e as UÇK-ja pa figurën e komandantit Zahir Pajaziti.

Duke folur për rëndësinë e përkujtimit të këtyre figurave, Kurti tha se çdo janar kujtohet çmimi i lartë i paguar për lirinë dhe shtetin e Kosovës, si dhe riafirmohet zotimi për vazhdimin e rrugës së dëshmorëve dhe martirëve të kombit.

Në fund, kryeministri ka shprehur nderim të veçantë për Pajazitin, Zejnullahun dhe Hoxhën, si dhe për të gjithë dëshmorët e kombit shqiptar.

“Zahir Pajaziti kishte veprimtari të dendur si pak kush tjetër. Ai ishte luftëtar i paepur gjatë gjithë jetës dhe njëkohësisht një guerilas me aksione fort të suksesshme. Bashkë me Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën, në janarin e vitit 1997, u vra nga pusia e forcave serbe, sepse nuk ishte e mundur ndryshe. Aq shumë ishin tmerruar forcat armike të Serbisë nga Pajaziti dhe shokët e tij, sa që vetëm kurthi dhe prita mund t’u jepte shanse që t’i eliminonin”, tha Kurti.

Të Ngjashme