Kryeministri Albin Kurti në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ka zhvilluar takimet e tij me zyrtarët ndërkombëtarë. Gjatë së shtunës, Kurti ka takuar senatorët amerikanë Jeanne Shaheen, Chris Murphy, Thom Tillis dhe Ruben Gallego.
Gjatë këtyre takimeve, Kurti ka diskutuar rreth raporteve me Serbinë dhe dialogun.
Sa i përket dialogut me Serbinë, kryeministri theksoi domosdoshmërinë e dorëzimit të Milan Radoiçiq për t’u përballur me drejtësinë në Kosovë lidhur me sulmin e 24 shtatorit 2023 në Banjskë. Ai gjithashtu përmendi nevojën për nënshkrimin e Marrëveshjes Bazike dhe për tërheqjen e letrës së ish-kryeministres serbe Ana Brnabiq, në të cilën vihet në pikëpyetje respektimi i integritetit territorial të Kosovës.
Në këtë takim, kryeministri shoqërohej nga Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, si dhe nga Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Berisha: Kërkesat e Kurtit ndaj Serbisë janë minimum juridik, jo retorikë politike
Profesori i së drejtës ndërkombëtare, Fejzulla Berisha, i ka cilësuar deklarimet e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në Mynih si një platformë juridike të mirëfilltë dhe jo si qëndrim politik deklarativ.
Sipas tij, tri kërkesat ndaj Serbisë, dorëzimi i Milan Radoiçiq për sulmin në Banjskë, formalizimi i marrëveshjes dhe tërheqja e letrës së ish-kryeministres Ana Brnabiç, “mbështeten drejtpërdrejt në normat themelore të së drejtës ndërkombëtare publike”.

Prof. Dr. Fejzullah Berisha
Ai thekson se këto çështje duhet parë në katër plane: përgjegjësia penale ndërkombëtare, detyrueshmëria e marrëveshjeve, integriteti territorial dhe roli i bashkësisë ndërkombëtare.
Berisha vlerëson se sulmi i 24 shtatorit 2023 nuk ishte rast i izoluar kriminal.
“Ai përbën akt të organizuar me implikime ndërkufitare dhe politike, prandaj aktivizohet parimi ‘aut dedere aut judicare’ – shteti duhet ose ta ekstradojë të dyshuarin, ose ta gjykojë seriozisht vetë”, tha ai.
Nëse Serbia refuzon ekstradimin, ai shton se duhet të dëshmojë hetim real.
“Mosveprimi ose një proces formal pa substancë krijon përgjegjësi ndërkombëtare të shtetit për dështim në luftën kundër terrorizmit”, thekson profesori.
Profesori nënvizon se dënimet diplomatike nuk mjaftojnë.
“Presioni ndërkombëtar duhet të shoqërohet me masa kushtëzuese, sanksione proporcionale dhe monitorim të procedurave penale. Pa këtë, norma juridike mbetet deklarative”, vlerëson ai.
Duke folur për marrëveshjen e arritur në dialog, ai shpjegon se mungesa e nënshkrimit nuk e heq obligimin juridik.
“Në të drejtën ndërkombëtare vlen parimi i mirëbesimit — palët nuk mund të përfitojnë politikisht nga procesi dhe njëkohësisht të refuzojnë formalizimin”, nënvizoi ai.
Ai thekson se refuzimi krijon mosbesim reciprok.
“Parimi ‘pacta sunt servanda’ kërkon zbatim të marrëveshjeve. Problemi nuk është mungesa e instrumenteve të BE-së, por intensiteti i përdorimit të tyre”, potencoi ai.
Sa i përket letrës së ish-kryeministres serbe, Berisha thotë se ajo bie ndesh me parimet bazë të rendit ndërkombëtar.
“Integriteti territorial është normë themelore. Tërheqja e një deklarate që e konteston nuk do të ishte simbolikë, por akt juridik përputhjeje me të drejtën ndërkombëtare”, tha profesor Berisha.
Profesori paralajmëron se stabiliteti nuk mund të ndërtohet duke relativizuar shkeljet.
“Nëse aktet terroriste tolerohen për arsye gjeopolitike, krijohet precedent i rrezikshëm. Presioni ndaj Serbisë nuk është favor për Kosovën, por mbrojtje e rendit juridik evropian”, thotë ai.
Në përfundim, Berisha thotë se kërkesat e Kurtit janë minimumi për normalizim.
“Përgjegjësia penale për Banjskën, formalizimi i marrëveshjes dhe respektimi i integritetit territorial nuk janë kushte politike, por standarde juridike”, tha Berisha.
Sipas tij, normalizimi i vërtetë nuk është kompromis mbi sovranitetin.
“Ai është institucionalizim i paqes mbi bazën e normave ndërkombëtare”, thekson profesor Berisha për ‘Bota sot’.
Burjani: Kushtet e Kurtit nuk e detyrojnë Vuçiqin, Serbia nuk vepron nën presion
Profesori Blerim Burjani vlerëson se kërkesat e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti ndaj Serbisë kanë shumë pak gjasa të prodhojnë ndryshim real në qëndrimin e Beogradit.

Blerim Burjani
Sipas tij, faktori kryesor është mungesa e presionit të fortë ndërkombëtar ndaj Serbisë.
“Serbia nuk ka pasur asnjë presion të fuqishëm ndërkombëtar; vetëm në mënyrë të butë i është thënë të dorëzojë Milan Radoiçiq. Përgjigjja e Aleksandar Vuçiq ka qenë gjithmonë ‘asnjëherë’”, deklaron Burjani.
Ai shton se për këtë arsye kushtet e vendosura nga Kurti vështirë se do ta detyrojnë Serbinë të ndryshojë qasje.
“Kushtet e Kurtit kanë gjasa minimale, ose fare, të ndikojnë që Vuçiqi të veprojë ndryshe”, thekson ai.
Burjani shkon më tej duke thënë se Beogradi nuk mund ta dorëzojë të dyshuarin sepse, sipas tij, vetë shteti serb qëndron pas sulmit.
“Serbia e ka orkestruar këtë sulm kundër Kosovës; si mund ta dorëzojë Radoiçiqin kur prapa sulmit qëndron vet Serbia me strukturat e saj ushtarake”, tha ai.
Sipas tij, për këtë arsye nuk pritet përfundim siç synon Kurti.
“Nuk mendoj se kjo temë mund të përfundojë siç dëshiron Kurti”, theksoi Burjani.
Profesori thotë se dallimi mes palëve është thelbësor: Kosova vendos kushte politike, ndërsa Serbia — sipas tij — vepron edhe në terren.
“Kurti qet kushte, ndërsa Serbia jo vetëm kushte, por edhe sulme, dhe do të vazhdojë me politikën ushtarake ndaj Kosovës”, nënvizoi ai.
Ai përfundon se kryeministri është i vetëdijshëm për këtë realitet.
“Kurti e di mirë se çfarë mendon Serbia; për këtë arsye ai i kushtëzon edhe premtimet e veta për zbatim me kërkesa kundër Serbisë”, thotë ai.
