Lajme

Kurti: Shpërndarja e Kuvendit nuk është instrument për të tejkaluar vështirësi politike

Kryeministri Albin Kurti, para deputetëve ka folur për çështjen e dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit.

Ai tha se ky dekret nuk qe kushtetues, dhe theksoi se të gjitha institucionet janë me detyrë të qartë.

“Shpërndarja e Kuvendit nuk është instrument për të tejkaluar vështirësi politike, dhe është vërtetuar edhe nga Kushtetuesja tani, se Presidenti nuk mund të shpërndajë vullnetin e popullit. Vullneti i popullit nuk anulohet me dekrete, e as nuk shpërndahet”.

“Tani pas qartësimit të kësaj të vërtete, nuk kemi boshllëk institucional para nesh, por një detyrë të qartë. Kuvendi i kthehet punës, mandati i deputetëve është i gjallë dhe përgjegjësia ndaj proceseve është edhe më e madhe. Afatet kushtetuese janë duke rrjedhë, shteti nuk ka ndalur së vepruari, dhe nuk ka asnjë arsye që ne ta ndalim atë”.

“Përkundrazi, çdo përpjekje për ta ndalur atë, do të ishte jo vetëm politikisht gabuar, por edhe një precedent që cenon vetë idenë e ndarjes dhe balancës së pushteteve”, deklaroi Kurti mes tjerash.

Ai tha se “rruga para nesh nuk duhet të jenë pengesat e inatet për të ecur përpara, por çka pritet prej nesh është miratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, agjenda legjislative që e përmirësojnë përditshmërinë e qytetarëve pa dallim, politika publike në dobi të qytetarëve që kërkojnë konsistencë dhe siguri juridike. Dhe të gjitha këto nuk mund të mbahen peng të një krize të prodhuar politikisht”.

“Vullneti i popullit është shprehur më 28 dhjetor, në zgjedhje të lira e demokratike, e ne tash duhet të flasim për vullnetin tonë për t’i shtyrë përpara punët e mira për qytetarët”, u shpreh mes tjerash Kurti. 

Të Ngjashme