Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur të martën në takim kryesuesin e Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Hekuran Nikçi, me të cilin ka diskutuar për administrimin dhe mbrojtjen e aseteve të ndërmarrjeve shoqërore, çështjet e pazgjidhura pronësore dhe përmbylljen e mandatit të Agjencisë.
Sipas njoftimit të Qeverisë së Kosovës, gjatë takimit vëmendje e veçantë iu kushtua pronave të ndërmarrjeve shoqërore kosovare që gjenden në Serbi, si dhe nevojës për identifikimin, dokumentimin dhe mbrojtjen e të drejtave pronësore mbi këto asete.
Në këtë kontekst, u diskutua edhe për moszbatimin e plotë të Marrëveshjes për Kadastrin, të arritur në Bruksel më 2 shtator 2011, përmes së cilës Serbia ishte zotuar për dorëzimin e dokumentacionit kadastral të marrë nga Kosova.
Sipas Qeverisë, pavarësisht marrëveshjes dhe mbështetjes financiare të Bashkimit Evropian, përfshirë një projekt në vlerë prej rreth dy milionë eurosh, Serbia ende nuk i ka përmbushur plotësisht obligimet e saj.
Kjo, sipas njoftimit, vazhdon të vështirësojë trajtimin e çështjeve pronësore dhe garantimin e sigurisë juridike.
Një tjetër temë e diskutimit ishte përmbyllja e mandatit të AKP-së dhe bartja e aseteve përkatëse në Fondin Sovran të Republikës së Kosovës.
Për këtë qëllim, u theksua nevoja për ndryshime ligjore dhe institucionale që do të mundësonin një administrim më të mirë të pasurisë publike dhe shfrytëzimin e saj për zhvillimin ekonomik të vendit.
Në takim u diskutua edhe për Ligjin për Fondin Sovran, të miratuar nga Kuvendi i Kosovës në dhjetor të vitit 2023, i cili, sipas njoftimit, vazhdon të jetë në pritje të vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese.
Mungesa e një vendimi përfundimtar ka penguar hyrjen në fuqi të ligjit dhe zbatimin e reformës së paraparë për administrimin e aseteve shtetërore.
Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e vazhdimit të angazhimit institucional për mbrojtjen e pasurisë së Republikës së Kosovës, zgjidhjen e çështjeve të hapura pronësore dhe avancimin e reformave që synojnë administrim transparent, të përgjegjshëm dhe në interes publik./teve1.info/
