Lajme

Kurti takohet me komisionerin e OSCE-së për minoritete, thekson përgjegjësinë e serbëve lokalë për shfrytëzimin e të d

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim komisionerin e lartë të OSCE-së për minoritete, Christophe Kamp, ku diskutuan për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve dhe integrimin e plotë të shërbimeve në veri të vendit, ka bërë të ditur Zyra e Kryeministrit.

Gjatë takimit, Kurti shprehu pajtueshmërinë e plotë të Qeverisë me konstatimin e komisionerit Kamp se përgjegjësia për shfrytëzimin e të drejtave të garantuara bie mbi serbët lokalë. Ai theksoi se korniza ligjore e Kosovës mundëson pjesëmarrjen aktive të komuniteteve, por kërkon angazhim dhe pronësi lokale për përdorimin e këtyre të drejtave.

Po ashtu, në takim u diskutuan edhe zhvillimet lidhur me zbatimin e Ligjit për të Huajt dhe hapat e ardhshëm drejt integrimit të plotë të shëndetësisë dhe arsimit në veri, brenda kornizës ligjore të vendit.

Zyra e Kryeministrit ka theksuar se Kurti informoi komisionerin për hapat konkretë të ndërmarrë nga Qeveria për të mbështetur të drejtat gjuhësore dhe komunitare, përfshirë hapjen e pozitave të drejtorit të Departamentit për Çështje të Komuniteteve dhe Komisionerit për Gjuhët, si dhe për rritjen e kapaciteteve për harmonizim gjuhësor.

Në përfundim, Kurti u shpreh se faza e ardhshme nuk ka të bëjë me zgjerimin e të drejtave, por me thellimin e përdorimit të tyre përmes ndërtimit të besimit, angazhimit të komuniteteve dhe qasjes së plotë në institucionet publike.

Të Ngjashme