Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti të hënën ka pritur në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen.
Sorensen ka uruar kryeministrin me rastin e formimit të qeverisë së re dhe për mandatin e tij të ri.
“Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, për sundim të ligjit dhe përparimin e Kosovës në procesin e integrimit evropian, si prioritete të qarta të agjendës sonë qeverisëse dhe për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.
“Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë me njohje reciproke”, thuhet në njoftim.
